Pas krahut të djathtë radha është për të majtin, Liverpooli po e transferon një tjetër mbrojtës

Liverpooli ka nisur lëvizjet për përforcimin e repartit defensivë dhe ka kontaktuar Bournemouthin për transferimin e mbrojtësit të majtë Milos Kerkez.

Sipas raportimeve të Fabrizio Romano, negociatat mes dy klubeve janë në zhvillim e sipër, me theks të veçantë mbi tarifën e transferimit që pritet të përcaktohet së shpejti.

Nga ana tjetër, Liverpool tashmë ka arritur një marrëveshje personale me futbollistin. Kerkez, 21-vjeçar, është i interesuar për transferimin në Anfield dhe shihet si një talent premtues për të ardhmen.

Mbrojtësi hungarez ka pasur një sezon fantastik me Bournemouthin, ku është paraqitur në 39 ndeshje, duke shënuar 2 gola dhe dhënë 5 asistime.

Paraqitjet e tij kanë zgjuar interesimin e top klubeve evropiane, mes tyre edhe Real Madridit, por Liverpooli duket të jetë më konkret në interesimin e tyre.

Arne Slot e sheh Kerkez si alternativë afatgjatë në krahun e majtë, ndërsa klubi kërkon të freskojë repartin defensivë, ku tanimë kanë siguruar edhe shërbimet e Jeremie Frimpong për krahun e djathtë të mbrojtjes.

Pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për mbylljen e marrëveshjes, ndërsa Kerkez është i gatshëm të bëjë hapin e madh në karrierën e tij.