Pas dorëzimit ligjor të detyrës, paralajmërohen tensione të reja politike në veri nga veprimet e Listës Serbe

Edhe pse procesi i pranim-dorëzimit të detyrës në komunat veriore, përfshirë Mitrovicën Veriore, është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, shqetësimet për zhvillimet pas betimit të kryetarëve të rinj mbeten të pranishme.

Tranzicioni institucional është kryer në mënyrë demokratike, por dinamika politike në veri po shihet si e paqëndrueshme, sidomos me rikthimin e ndikimit të Listës Serbe në strukturat komunale.

Parashikimet për propagandë, ndryshime të rendit të ditës dhe tentativa për pengesa politike janë rikthyer në qendër të vëmendjes, me paralajmërime se periudha pas betimit mund të hapë rrugën për përpjekje të reja për destabilizim të gjendje

Izmir Zeqiri pas dorëzimit të detyrës në Zubin Potok: Kryetari i ri i lëvizi simbolet e Republikës brenda zyrës

Ish-kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, për FrontOnlinm ka komentuar situatën në komunë pas betimit të kryetarëve të rinj në veri të Kosovës, përfshirë edhe kryetarin e ri të Zubin Potokut, Milos Pereviq nga Lista Serbe.

Zeqiri tha se pranim-dorëzimi është zhvilluar në dy takime të ndara, një në orët e paradites dhe një pasdite.

Dje kishim një pranim-dorëzim të detyrës në formë protokollare. Kishim dy takimi, një para dite dhe një pas dite të pranim-dorëzimit të detyrës. Takimi ishte brenda kornizave të mirësjelljes, por jo takim i kënaqshëm. Ne i dhamë ato çka duhet”, deklaroi ai.

Zeqiri tha se ndërmjet dy takimeve ka vërejtur ndryshime brenda zyrës së kryetarit, të bëra nga ekipi i ri komunal.

Nga para dite deri pas dite, kishte një ndryshim brenda zyrës, ku kryetari i ri flamurin e Republikës e kishte vendosur në anën e majtë dhe jo siç ka qenë në anën e djathtë, vetëm kishte zhvendosje. Po ashtu edhe fotografia e Presidentes ishte në anën e majtë, ky ishte një ndryshim”, theksoi ai për FrontOnline.

Ai tha se pret që Lista Serbe të nisë propagandë rreth këtij procesi.

Unë e di se këta si LS do të lansojnë propaganda sepse janë mjeshtër të tyre”, u shpreh Zeqiri.

Sipas tij, kompetencat tashmë janë transferuar plotësisht te kryetari i ri.

Ai i ka tash kompetencat e veta dhe unë kthehem në Zyrën për Komunitete’’, tha ai.

Ai tha se jashtë objektit komunal simbolet shtetërore nuk janë prekur.

Jashtë zyrës ishte flamuri i Kosovës, janë të paprekur.”

Zeqiri foli edhe për mundësinë e sabotimeve nga ana e administratës së re.

Këta do të bëjnë sabotim, por do të mbetet të shihet sepse janë gjëra që nuk mund të ndryshohen. Unë nuk besoj se do të mund të bëjnë ndryshim sepse ligji është ai”, përfundoi ai.

Ish-kryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës Veriore: Dorëzimi u bë sipas ligjit, por presim destruktim politik nga Lista Serbe

Ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, për FrontOnline, ka folur për situatën në veri të Kosovës pas betimit të kryetarëve të rinj, veçanërisht atij të Mitrovicës Veriore nga Lista Serbe. Ai ka konfirmuar se procesi i dorëzimit të detyrës është zhvilluar brenda rrugës ligjore dhe sipas procedurave të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në mënyrë demokratike është bërë dorëzimi i detyrës sipas ligjshmërisë së Kosovës”,  deklaroi ai.

Megjithatë, ai paralajmëroi se priten edhe veprime politike penguese nga Lista Serbe.

Por këtu presim edhe destruktime politike nga Lista Serbe sepse janë vendime që ata po parashikojnë përmes kuvendit e të cilat janë në përputhje me vetëqeverisje lokale”, tha ai.

Sipas tij, ky subjekt do të tentojë të ndikojë përmes organeve komunale për të ndryshuar orientimin politik në komunë.

Ata do të mundohen të bëjnë ndryshime të rendit të ditës dhe në të ardhmen do të provojnë të bëjnë destruktime përmes kryetarëve sepse ndikimi nga Serbia do të jetë edhe më i fuqishëm, sepse institucionet paralele nuk funksionojnë”, theksoi ai.

Ai shtoi se, ndonëse Lista Serbe mund të ketë plane për ndryshime, ato nuk mund të realizohen me shpejtësi.

Ata sigurisht që planet nuk i shkojnë me shpejtësi, por sigurisht që vendimet që janë në përputhje e që mundohen me i rrëzu vendimet e mëparshme…”, u shpreh Ugljani.

Sa i përket përputhshmërisë me legjislacionin, ai kujtoi se çdo veprim i kryetarëve të rinj kontrollohet institucionalisht.

‘’Por atëherë ata pasi i kanë dhënë betimet në përputhje me kushtet e Kosovës, ajo varet nga Ministria e Pushtetit Lokal,” u shpreh ai.

Ilir Peci paralajmëron tensione në Zveçan: Ka presion mbi administratën, shteti duhet të ndërhyjë

Ish-kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, për FrontOnline  ka folur pas betimit të kryetarëve të rinj në komunat veriore, përfshirë edhe kryetarin e ri të Zveçanit nga Lista Serbe. Ai ka thënë se, ndonëse betimi është kryer të premten, procesi i pranim-dorëzimit ende nuk ka ndodhur, ndërsa situata në komunë po shoqërohet me presion ndaj administratës lokale.

Të premten është bërë betimi, pranim-dorëzim akoma s’ka. Nuk janë duke u sjellë mirë disa drejtorë të tij, sidomos shefi i kabinetit, sepse po i bëjnë presion të fortë administratës”, deklaroi Peci.

Ai ka theksuar se para zyrës së kryetarit janë vendosur sërish simbolet me katër S, të cilat përfaqësojnë simbole nacionaliste serbe.

Para zyrës së kryetarit i kanë vendosur prapë simbolet me katër S. Unë i kam shkruar edhe pushtetit lokal, ministrisë, por s’ka ndonjë reagim nga ta,” u shpreh ai.

Peci tha se gjatë ceremonisë së betimit është zhvilluar një takim rreth 40 minuta, por çështja e presionit nuk është diskutuar. Ai është përpjekur të ndërmjetësojë komunikim institucional.

Pak më parë i kam shënuar ish-nënkryetarit tim që ishte i komunitetit serb që me bisedu me kryetarin e ri, tash jemi në pritje”, shtoi ai për FrontOnline.

Ai konfirmoi se në hyrje të objektit të Kuvendit Komunal gjendet flamuri i Kosovës, por nuk ka informacione të plota për simbolikën brenda zyrës së kryetarit.

Tek hyrja e Kuvendit është flamuri i Kosovës, e për brenda zyrës së kryetarit nuk e di a janë apo jo simbolet”, tha Peci.

Sipas tij, presioni mbi stafin komunal është serioz dhe kërkon reagim urgjent nga institucionet qendrore.

Ka presion te zyrtarët komunal dhe duhet me u tërhiq, dhe këtu duhet me ndërhy shteti, veçmas Ministria e Pushtetit Lokal”, theksoi ai.

Peci paralajmëroi se nëse situata vazhdon kështu, mund të ketë rikthim të tensioneve në komunë.

Kjo do të thotë se nëse kështu është situata, për një kohë të shkurtër do të kthehet në pikën zero,” deklaroi ai.

Ai shtoi se procesi i pagesës së energjisë ka nisur të stabilizohet, por nuk është përmbyllur.

Faturat po paguhen, ka filluar një numër i mirë, por akoma s’ka përfundu kyçja nëpër orë”, përfundoi Peci.