Pas Ardon Jasharit, Tare gati të sjellë edhe një tjetër shqiptar te Milan

Pak minuta më parë, Milan ka zyrtarizuar transferimin e Ardon Jasharit nga Club Brugge për 39 milionë euro, bashkë me bonuset. Por, Ardon Jashari ndoshta nuk do jetë futbollisti i vetëm shqiptar te Milan.

“La Gazzetta dello Sport” raporton se drejtuesit e Milanit po punojnë për të transferuar një qendërmbrojtës, duke qenë të pasigurt për të ardhmen e Malick Thiaw. 23-vjeçari gjerman është përfolur shumë për një largim nga kuqezinjtë këtë sezon, ai mund të përdoret në një operacion shkëmbimi me Dusan Vlahovic te Juventus. Përveç Juventusit, për Thiaw ka interes edhe nga ekipe të tjera të njohura.

Në këtë mënyrë, drejtuesit e Milanit po ndjekin tre emra për të forcuar qendrën e mbrojtjes: Pietro Comuzzo i Fiorentinës, Giovanni Leoni i Parmës dhe Berat Gjimshiti i Atalantës.

Ndryshe nga dy emrat e parë të cilët janë të rinj dhe ka një lloj pasigurie nëse do arrinin të përshtateshin menjëherë te Milan, për Gjimshitin nuk ka kush dyshime duke ditur që është një mbrojtës me përvojë dhe eksperiencë dhe një nga më të mirët në Serie A. Gjimshiti është përfolur shpesh për një transferim te Milan, por me ardhjen e Igli Tares si drejtor sportiv, transferimi i tij është më afër se kurrë.

The post Pas Ardon Jasharit, Tare gati të sjellë edhe një tjetër shqiptar te Milan appeared first on Telesport.