Pas anulimit të një tenderi, KQZ e gjen me negocim kompaninë që do t’i kryej shërbimet postare për votimin jashtë Kosovës

Pas anulimit të një tenderi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më në fund e ka gjetur kompaninë që do t’i kryej shërbimet postare për votimin jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, KQZ e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “3P SHPK”, me çmim 268 mijë e 900 euro, shkruan Reporteri.net.

“Pas kërkesës se AK-KQZ per zbritje te çmimeve ne harmoni me proceduren e negociuar OE 3P ka ofruar çmimin total prej 229,960.00€”, thuhet në fund të dokumentit.

Nënshkrimi i kontratës ka qenë i planifikuar për dje.

“Përmes këtij aktiviteti të prokurimit, do të bëhet kontraktimit i OE që do të kryej shërbimet postare për dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit që deklarojnë vendqëndrimin jashtë kontinentit të Evropës në mënyrë që fletëvotimet tu arrijnë në kohë”, thuhet në dokument.

E njëjta kompani kishte aplikuar edhe në tenderin që u anulua para një muaji, veçse atëherë më çmim 361 mijë e 132 euro, e pas zbritjes 299 mijë e 630 euro. Ndërkohë, vlera që kishte parashikuar KQZ ishte 230 mijë euro.

Shërbime të njëjta ofrohen edhe nga Posta e Kosovës, mirëpo shkaku i kohëzgjatjes së arritjes së dërgesave, është konstatuar se Posta s’mund të kryej shërbimin e tërheqjes së pakove në 22 shtete.

“Duke marrë parasysh që shërbime të njëjta ofrohen nga autoriteti publik Posta e Kosovës, Sekretariati ka mbajtur takime me përfaqësuesit e tyre ku jemi informuar se kohëzgjatja e arritjes së dërgesave në kontinentet jashtë Evropës është afërsisht 2 javë, si dhe Posta e Kosovës nuk mund të kryej shërbimin e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtetet, andaj është i nevojshëm kontraktimi i OE që kanë autorizime ose marrëveshje me kompanitë ndërkombëtare të postave të shpejta (Express) në mënyrë që KQZ të përmbushë obligimet ligjore për operacionin e votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet Lokale 2025”, thuhet në dokument.

Kompania ka përgjegjësinë e transportimit të sigurt të materialeve, përfshirë dërgimin e zarfeve me fletëvotime në adresën e votuesit dhe kthimin e materialeve në lokacionin e përcaktuar nga KQZ, në Kosovë.

“Afatet e dërgimit të dërgesave janë si më poshtë:

-Dërgimi i zarfeve me fletëvotime në adresën e votuesit jashtë Kosovës bëhet në afat brenda 72 orëve.

– Kthimi i materialeve në Kosovë bëhet në afat jo me vonë se 72 orë për dërgesat nga Evropa dhe deri në 96 orë për shtetet e tjera”, thuhet në dosje.

Ndryshe, afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale ka përfunduar më 29 gusht.

Nga 23 korriku kur është hapur afati e deri në përfundim të tij, KQZ ka pranuar 56 mijë e 778 aplikime.

Prej tyre, janë aprovuar 46 mijë e 15, derisa 10 mijë e 94 janë refuzuar.

Me më së shumti aplikime prijnë mërgimtarët që jetojnë në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali dhe Francë. /Reporteri.net