Asnjëra prej tri partive që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar, nuk kanë një përgjigje definitive për çështjen e presidentit. Derisa Vjosa Osmani synon edhe një mandat tjetër, PDK, LDK e AAK presin fillimisht konstituimin e Kuvendit e themelimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Për pesë vjet në krye të shtetit, por këtu nuk përfundon gjithçka.
Vjosa Osmani po e synon edhe një tjetër mandat të Presidentes së Republikës së Kosovës, post ky për të cilin përgjatë gjithë fushatës zgjedhor është përmendur.
Osmani në një intervistë për Radio Evropa e Lirë tha se do të ketë bisedime me deputetë të pushtetit dhe të opozitës në lidhje me kandidaturën e saj.
“Unë do të bisedoj me të gjitha partitë shqiptare, me partitë e pakicave joserbe, do të bisedoj me ta. Natyrisht, shumë prej tyre tashmë i kanë shprehur qëndrimet në takimet me mua, mirëpo do të duhet që të ulemi, të diskutojmë, dhe të shihet, siç e thashë, e para, në qoftë se dëshirojnë vazhdimësi të mbrojtjes së interesit qytetar, dhe në qoftë se dëshirojnë që të dëgjohet vullneti qytetar, i cili është i qartë. Në shumicën dërmuese të matjeve, shihet që diku rreth 81 për qind e qytetarëve të Republikës dëshirojnë një mandat të dytë. Pra, do ta shohim në qoftë se deputetët dëshirojnë materializim të këtij vullneti. Pra, këto janë çështje që do t’i bisedojmë, megjithatë për mua është thjesht një mundësi për t’i shërbyer vendit, dhe në qoftë se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e dëshirojnë këtë, atëherë unë do ta vazhdoj mundësinë e shërbimit të vendit në mundësi tjera. Pra, ka edhe mundësi të tjera që mund të angazhohem në politikë”, ka thënë presidentja Osmani.
Se për këtë çështje do të flasë fillimisht me Osmanin e pastaj me partitë e tjera e ka thënë kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, në mbrëmjen e së dielës pasi shpalli fitoren për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Por, në Partinë Demokratike të Kosovës, e në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës thanë se njëherë presin konstituimin e Kuvendit e formimin e institucioneve të dala nga këto zgjedhje, e më pas do të diskutojnë për presidentin.
Ndërkohë që Anton Quni deputet i legjislaturës së kaluar nga LDK, thotë se për ketë do të merret vendim në strukturat e partisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës , si partia e parë pluraliste dhe shtetformuese në vend, ka dëshmuar në vazhdimësi se prioritet i saj mbetet stabiliteti politik dhe funksionimi i rregullt i institucioneve të Republikës së Kosovës. LDK është parti me strukturë të qartë demokratike. Çdo vendim i kësaj natyre do të adresohet dhe do të trajtohet me seriozitet të lartë në organet vendimmarrëse të partisë. Vendimet tona do të bazohen gjithmonë në interesin e qytetarëve, respektimin e Kushtetutës dhe në përputhje me orientimin tonë programor. Në momentin që këto organe të marrin një qëndrim zyrtar, ai do të komunikohet në mënyrë transparente për të gjithë opinionin publik”, ka thënë Quni.
Zgjidhje të kësaj çështje brenda një afati të shpejtë nuk shohin as analistët politik.
“Partitë e opozitës në këtë rast PDK e LDK janë duke e marr vetën prej rezultatit që e patën të keq në këto zgjedhje, dhe se lidershipi aktualisht është i paralizuar në kuptimin e daljes me një qëndrim definitiv me cështjen e presidentes, duhet të presim të shohim rrjedhen e ngjarjeve listën e kandidatëve sa vota do të marrin, brenda këtyre dy partive, derisa në PDK pres që të pritet rezultati i gjykimit të ish liderëve të tyre, në LDK cështja është se situata është më e rënduar…”, ka thënë analisti, Adrian Zeqiri.
Vjosa Osmani u zgjodh Presidente e Kosovës më 2021, ndërkohë që mandati i skadon në mars të vitit të ardhshëm. Paraprakisht kishte ushtruar detyrën e Presidentes që nga nëntori 2020 kur Hashim Thaçi dha dorëheqje për t’u ballafaquar me akuzat e Gjykatës Speciale.
Para se të bëhej presidente, Osmani garoi në listë me Lëvizjen Vetëvendosje.










