Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj (Profesor i shkencave politike dhe juridiko-administrative)
Forma demokratike e qeverisjes bazohet mbi institucionin e parlamentit. Si organi kryesor legjislativ, parlamenti është i ngarkuar me përgjegjësinë për miratimin e ligjeve, përfaqësimin e qytetarëve, ushtrimin e kontrollit ndaj pushtetit ekzekutiv dhe legjitimimin e veprimtarisë së qeverisë. Një parlament funksional, përveçse siguron llogaridhënie, transparencë dhe gjithëpërfshirje në procesin e hartimit të politikave publike, përfaqëson vullnetin e popullit dhe garanton rendin kushtetues. Megjithatë, formimi i një institucioni të tillë pas zgjedhjeve shpesh përballet me pengesa politike dhe procedurale, veçanërisht në demokracitë në zhvillim ose në ato me ndasi të thella politike.
Në themel të çdo demokracie përfaqësuese qëndron një parlament që ushtron në mënyrë të plotë funksionet e tij. Ai mishëron tri funksione thelbësore: autoritetin legjislativ, përfaqësimin demokratik dhe mbikëqyrjen e pushtetit ekzekutiv. Sipas Leston-Bandeira dhe Thompson (2018), parlamenti ka detyrën të garantojë që shteti i përmbahet sundimit të ligjit, mbron të drejtat dhe liritë qytetare dhe përgjigjet ndaj nevojave të popullsisë.
Proceset legjislative në demokracitë moderne nuk janë vetëm mekanizma për miratimin e ligjeve, por gjithashtu hapësira për negociata politike dhe kompromis ndërmjet aktorëve të ndryshëm. Përfaqësimi pluralist që mundëson parlamenti krijon hapësirë për shprehjen e interesave politike, shoqërore dhe ekonomike të ndryshme. Siç vë në dukje Dahl (1971), institucionalizimi i një pluralizmi të tillë është tregues i domosdoshëm për konsolidimin demokratik.
Për më tepër, një parlament funksional shërben si mekanizëm kontrolli ndaj pushtetit ekzekutiv. Rishikimi legjislativ i buxheteve, politikave dhe performancës së qeverisë është thelbësor për të parandaluar tejkalimin autoritar dhe për të rritur transparencën. Sipas Fish (2006), ky funksion llogaridhënës ndihmon në ndërtimin e besimit qytetar dhe në forcimin e legjitimitetit institucional në sisteme politike të brishta ose post-konfliktuale.
Pavarësisht rolit të rëndësishëm që luajnë, parlamentet shpesh përballen me vështirësi të mëdha në procesin e konstituimit pas zgjedhjeve. Këto vështirësi janë më të theksuara në sisteme ku ekziston një fragmentarizim i skajshëm partiak, ndarje etnike ose struktura kalimtare të qeverisjes.
Një nga sfidat më të mëdha është paaftësia për të siguruar një shumicë parlamentare. Në sistemet me përfaqësim proporcional apo në shoqëri shumë të pluralizuara, rrallëherë ndonjë parti arrin të fitojë një mandat të qartë. Negociatat për koalicione mund të zgjaten ose të hyjnë në ngërç, duke vonuar formimin e parlamentit dhe të vet qeverisë. Raste të tilla janë vërejtur në vende si Belgjika apo Iraku, ku bllokimet post-zgjedhore kanë zgjatur me muaj apo vite të tëra.
Polarizimi ideologjik ose etnik mund ta bëjë edhe më të vështirë arritjen e marrëveshjeve. Në shoqëritë e thellësisht të ndara, partitë politike shpesh përfaqësojnë vizione kundërthënëse për shtetin apo histori të ndërlikuara. Sipas Horowitz (1985), mentaliteti “zero-sum” që dominon në këto raste çon në mosbesim reciprok dhe paralizë institucionale.
Në demokracitë në zhvillim e sipër, paqartësitë kushtetuese dhe mungesa e kornizave të qarta procedurale e përkeqësojnë edhe më shumë situatën (Kjo është evidente në rastin e Kosovës). Për shembull, roli i paqartë i presidentit në nominimin e kandidatit për kryeministër, mungesa e afateve për formimin e koalicioneve apo rezultatet e paqarta zgjedhore mund të çojnë në kriza kushtetuese, siç ndodhi në Kosovë pas zgjedhjeve të viteve 2019 dhe 2021 dhe tani në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025.
Për të kapërcyer këto divergjenca nevojitet një kombinim i inovacionit institucional, maturisë politike dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar.
Së pari, zbatimi i marrëveshjeve gjithëpërfshirëse për ndarjen e pushtetit, qofshin këto formale apo informale, mund të ndihmojë në përfshirjen e palëve të kundërta në procesin politik. Lijphart argumenton se në shoqëritë e ndara, demokracia konsociative, e cila bazohet në bashkëpunimin elitist dhe proporcionalitetin në qeverisje, siguron stabilitet afatgjatë.
Së dyti, mekanizmat e ndërmjetësimit të pavarur apo ndërhyrja e aktorëve ndërkombëtarë mund të jenë faktorë pozitivë, veçanërisht në demokracitë e brishta ose të dala nga konflikti. Organizata si Bashkimi Evropian apo Kombet e Bashkuara kanë lehtësuar me sukses formimin e parlamenteve në vende si Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Libani. Ky lloj ndërmjetësimi siguron që negociatat të jenë të drejta, të zhvillohen në kohë dhe të jenë transparente. Mirëpo nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare e ka bërë me dije se, që nga viti 2021, qasja patrimoniale ndaj Kosovës ka përfunduar dhe se elitat politike kosovare duhet të dëshmojnë se janë të denja t’i konstituojnë institucionet dhe të garantojnë funksionimin e mekanizmave që e bëjnë të mundur demokracinë funksionale.
Së treti, reforma kushtetuese mund të zgjidhë paqartësitë procedurale dhe të nxisë kompromisin. Kjo mund të përfshijë vendosjen e afateve të detyrueshme për formimin dhe funksionalizimin e institucioneve përfaqësuese, sanksionimin e bojkotimeve parlamentare dhe kërkesën për shumicë për disa emërime, duke nxitur bashkëpunimin ndërpartiak.
Së fundi, edukimi politik dhe zhvillimi i elitave përfaqëson një faktor kyç. Parlamentet nuk funksionojnë vetëm mbi baza rregullash, por kërkojnë norma të sjelljes, respekti dhe gatishmëri për dialog dhe kompromis. Udhëheqësit politikë duhet të tejkalojnë interesat partiake të ngushta dhe të adoptojnë një vizion më të gjerë demokratik. Ky transformim kulturor mund të arrihet përmes pjesëmarrjes qytetare, trajnimeve për lidership dhe shkëmbimeve ndërkombëtare të përvojës.
Një parlament funksional është element themelor për rendin demokratik. Ai krijon kuadrin për hartimin e ligjeve, garanton mbikëqyrjen e pushtetit ekzekutiv dhe pasqyron pluralizmin e interesave në shoqëri. Megjithatë, procesi i formimit të parlamentit pas zgjedhjeve shpesh has pengesa politike dhe institucionale. Pa një bazë për bashkëpunim, demokracitë rrezikojnë të ngërthehen në bllokime dhe zhgënjim qytetar. Prandaj, zgjidhja e divergjencave përmes ndarjes gjithëpërfshirëse të pushtetit, reformës institucionale dhe ndërtimit të konsensusit politik nuk është vetëm një detyrë procedurale, por themeli i një shteti demokratik legjitim. Mësim ky që mbetet për t’u mësuar nga elitat politike në Kosovë dhe më gjerë në rajon.