Parlamenti Studentor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren përmes një postimi në Facebook ka akuzuar Nismën për ndikim në zgjedhjen e rektorit të këtij universiteti.
Parlamenti Studentor thotë se është duke i përcjellë me shqetësim ngjarjet e fundit në lidhje me zgjedhjen e Rektorit në UPZ.
Dje, me datë 06 maj, është mbajtur mbledhja e Këshillit Drejtues ku në rend dite ka qenë e paraparë të zgjedhet Rektori i Universitetit, por në momentet e fundit për arsye të panjohura kjo gjë është shtyrë për mbledhjen tjetër.
“Nga e gjithë kjo po shihet qartë që ka ndikime të drejtpërdrejta nga partitë politike edhe në këtë konkurs. E për këtë gjë më së miri flet kjo foto e cila është bërë dje në UPZ gjatë intervistimit të kandidatëve për Rektor, ku shihen u.d. Rektori i tanishëm Prof. Ismet Temaj së bashku me Demir Limajn, vëllanë e kryetarit të Partisë Nisma e cila udhëheq MASHT-in. Demir Limaj, i angazhuar së fundmi në UPZ, për të cilin flitet që do të vijë edhe si profesor i rregullt, së bashku me disa militantë të Nismës ka qëndruar gjatë tërë ditës së djeshme në kampusin e UPZ-së duke tentuar të ndikojë tek anëtarët e Këshillit Drejtues në zgjedhjen e Rektorit”, thuhet në reagimin e Parlamentit Studentor të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
Parlamenti studentor i UPZ-së thotë se, “krejt këto pazare të ndyra nuk i kanë hije një Universiteti, aq më pak kur bëhen pikërisht pranë shtatores së kolosit të dijes, Ukshin Hoti, por disa individë me qëllim të vetëm interesin klanor, pa fije turpi po e rrënojnë punën e bërë me mund e sakrificë në UPZ”.
Parlamenti Studentor kërkon që duart e politikës të mbahen larg universitetit
“Ne ju bëjmë thirrje të gjithë akterëve nga skena politike që t’i mbajnë larg duart nga Universiteti sepse si pasojë e këtyre ndikimeve Universiteti ka mbetur që një kohë të gjatë pa rektor të rregullt. Gjatë kësaj periudhe Universiteti për 3 muaj ka qenë pa udhëheqës fare dhe studentët e diplomuar nuk kanë mundur t’i marrin diplomat e tyre ndërsa sot e ka të zgjedhur një u.d Rektor në mënyrë të jashtëligjshme dhe parregullsitë janë të mëdha. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe, nga Agjencia e Akreditimit janë pezulluar drejtime me rëndësi jetike për Universitetin”, thuhet në reagim.
E gjithashtu Parlamenti Studentor kërkon nga Këshilli Drejtues që të jenë të matur me veprimet e tyre.
“Ne ju bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të KD që të tregohen të matur me veprimet tyre dhe mos të bëhen pjesë e pazareve të ndyra të politikës sepse e ardhmja e Universitetit është në duart e tyre dhe faturën e asaj që do të ndodhë nesër do ta bartin vetëm ata. Mos na e shkatërroni të ardhmen”./Fokusi.info/