Parlamenti iranian ratifikon traktatin e partneritetit me Rusinë

Bëhet fjalë për një traktat 20-vjeçar të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës midis Iranit dhe Rusisë.

Parlamenti iranian ka miratuar një traktat 20-vjeçar të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës midis Iranit dhe Rusisë, që synon forcimin e lidhjeve politike, ushtarake dhe ekonomike midis dy vendeve.

“Përgjithësitë dhe detajet e draftit të traktatit gjithëpërfshirës të partneritetit strategjik midis Iranit dhe Rusisë u miratuan nga deputetët”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.

Në prill, deputetët rusë e kishin ratifikuar tashmë këtë tekst, i cili parashikon bashkëpunim më të madh midis Moskës dhe Teheranit për t’u marrë me “kërcënimet e përbashkëta të sigurisë”.

Megjithatë, teksti nuk është një pakt mbrojtjeje i ndërsjellë si ai i nënshkruar vitin e kaluar midis Rusisë dhe Koresë së Veriut.

Dokumenti përcakton që nëse njëra palë është viktimë e një agresioni, pala tjetër nuk do t’i ofrojë “ndihmë agresorit”.

Traktati parashikon gjithashtu një forcim të “bashkëpunimit ushtarak” midis Iranit dhe Rusisë, dy vende të synuara nga sanksionet perëndimore dhe të cilat ndajnë një dëshirë të përbashkët për të kundërshtuar atë që e paraqesin si hegjemoni amerikane.

Vendet perëndimore akuzojnë Iranin për furnizimin e Rusisë me dronë dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi për luftën e saj kundër Ukrainës.

Teksti synon gjithashtu të forcojë lidhjet ekonomike dhe politike midis Moskës dhe Teheranit, veçanërisht në energji, financa dhe luftën kundër terrorizmit.

Marrëveshja u nënshkrua në janar nga presidenti iranian Masud Pezeshkian dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, gjatë një vizite në Rusi.