Parlamenti Evropian paralajmëron Serbinë për ngecje në rrugën drejt BE-së

Draft-raporti i Parlamentit Evropian për Serbinë, i përgatitur për vitin 2026, tregon shqetësim të madh për ngecjen e përparimit të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Dokumenti vë theksin te dobësimi i sundimit të ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe mungesa e reformave të matshme demokratike, transmeton Paparaci.

Raporti kritikon ndryshimet e miratuara në ligjet kyçe të gjyqësorit, duke i cilësuar si “hap serioz prapa” dhe kërkon pezullimin dhe rishikimin urgjent të tyre. Gjithashtu, theksohet rëndësia e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe hetimi i sulmit terrorist në Banjskë në 2023, për të cilin Serbia nuk ka ndjekur penalisht disa nga autorët kryesorë.

Parlamenti Evropian shpreh shqetësim edhe për situatën politike dhe protestat masive në vend, për përdorimin e tepruar të forcës ndaj demonstruesve, gazetarëve dhe aktivistëve, si dhe për gjendjen e lirisë së shprehjes dhe funksionimin e medias.

Raporti nënvizon gjithashtu nevojën për transparencë në përdorimin e fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe lidhjen e tyre me përparimin demokratik. Përfundimi i tij është i qartë: përparimi i Serbisë drejt BE-së do të varet nga rezultate konkrete dhe të matshme në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, zgjedhjeve të lira, të drejtave themelore dhe marrëdhënieve me Kosovën.

Në ton, raporti është veçanërisht kritik dhe shërben si një paralajmërim i fortë për autoritetet në Beograd./Paparaci.com