Parlamenti Evropian me masa shtesë për kriptovalutat
Parlamenti Evropian votoi një draft të përpiluar në dhjetorin e kaluar, i cili propozon shtrëngimin e masave ndaj kripotovalutave në përpjekje për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Masat kërkojnë që qytetarët evropianë të kenë informacion për pronarët e kompanive, duke reduktuar anonimitetin dhe mbështetur ata që raportojnë veprime të paligjshme me kriptovalutave.
Ligji i ri është ndryshimi i pestë që aplikohet mbi Direktivën Evropiane Kundër Pastrimit të Parave e cila u miratua në 2015-në dhe 2016-në pas sulmeve terroriste në Paris, Nice dhe Bruksel.
“Sjelljet kriminale nuk kanë ndryshuar. Kriminelët janë duke përdorur anonimitetin e kriptovalutave për të pastruar para dhe financuar terrorizmin. Ligji i ri na ndihmon të mbrojmë qytetarët nga këto kërcënime si dhe sektorin financiar nga një rrezik i madh, duke krijuar qasje në informacionin rreth njerëzve pas firmave të ndryshme”, tha një zëdhënës, përcjell Telegrafi.
Masat e reja të Parlamentit Evropian adresojnë rreziqet potenciale që u kanosen qytetarëve përmes kriptovalutave dhe kartave të debitit me parapagesë.
Tentativa për të eliminuar anonimitetin e kriptovalutave me shumë mundësi nuk ka për të funksionuar në sferën e tyre.
Ligji i ri detyron bursat e kriptovalutave dhe ofruesit e shërbimeve të portofolave të regjistrojnë aktivitetin. /Telegrafi/