Paratë e drogës në Zvërnec dhe kullat e Tiranës, SPAK godet Artur Shehun dhe Ilir Shtufin

SPAK i ka dhënë goditje një nga shtyllave të modelit Rama në qeverisje, ndërtimit me paratë e drogës dhe të korrupsionit, lidhjet nisin nga Zvërneci por shkojnë deri në qendër të Tiranës

SPAK ka plasur një hetim bombë që ngre dyshime të forta për projektin e miqve të Jared Kushner në Zvërnec dhe për disa nga kullat më të larta të Tiranës. Dyshimet janë se financimi i këtyre projekteve gjigande e ka gjenezën tek paratë e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine. Emrat e goditur janë të famshëm për pasuritë e mëdha, për lidhjet me politikën dhe për influencën në botën e krimit. Mësohet se urdhër-arresti është firmosur për Artur Shehun, emër i njohur në Vlorë jo vetëm për bëmat e 1997, por edhe për pasuritë e mëdha që arriti të grumbullojë në Zvërnec, duke u lidhur më pas me investitorët e huaj, miq të Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump. Një tjetër urdhër-arresti është firmosur për Ilir Shtufin, biznesmen i ndërtimit, me lidhje të forta politike, por edhe i njohur së fundmi për projektin e Malit të Tiranës, kullës në qendër të kryeqytetit.

Burime të pakonfirmuara thonë se materialet që kanë ardhur nga agjencitë e huaja në SPAK, i kanë orientuar prokurorët drejt bllokimit të qindra miliona eurove, përfshirë paratë që vëllezërit sirianë AlKhajat derdhën në llogaritë e kompanive që kishin pronësinë e tokave në Zvërnec, po ashtu janë sekuestruar biznese dhe shuma të mëdha parash në biznesmenët e Tiranës që dyshohet se janë të lidhur me trafikantët e drogës.