Parashqevi Simaku mbush 59 vjeç, mesazh emocional të birit: Të dua pafund, Luke!

Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, ka mbushur sot, 1 shtator, 59 vjeç. Në këtë ditë të veçantë për të, ajo ndan një mesazh të thellë dhe emocional për të birin.

“Sot, në ditëlindjen time të 59-të, zemra ime është e mbushur me mall për ty. Çdo nënë, kur zgjohet në mëngjesin e ditëlindjes së saj, ëndërron që fëmija ta përqafojë dhe t’i thotë: Gëzuar ditëlindjen, nëna ime! Sa shumë do të doja ta dëgjoja këtë nga ti… Por e di që ti as nuk e di kur është ditëlindja ime, dhe kjo më dhemb thellë. Megjithatë, zemra ime rreh gjithmonë me ty, ashtu si atëherë kur ishe në barkun tim, edhe sot, në çdo frymë të jetës sime. Edhe pse jemi larg, ti je gjithmonë pjesë e imja, drita dhe shpresa ime. Të dua pafund, Luke!”, shkruan artistja në Facebook-un e saj.

Kujtojmë se për një kohë të gjatë, këngëtarja ishte zhdukur nga sytë e publikut shqiptar, për t’u rikthyer vitin e shkuar në një formë që askujt s’ja kishte marrë mendja.

Simaku u pa në kronikën e televizionit amerikan “ABC 7” duke marrë ndihma vullnetare. Video, që u pasua me reagimin e mijëra shqiptarëve dhe që u kthye padyshim në kryefjalë të mediave.

Parashqevi Simaku u largua nga Shqipëria menjëherë pas rrëzimit të komunizmit me ëndrrën e madhe për të prekur Hollywood-in.