Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë është e mundur të arrihet në vitin 2019.
Kryeministri, Ramush Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e arritjes së një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë mirëpo ka theksuar se nuk do të përfshijë ndryshim të kufijve.
Ai ka paralajmëruar se shkëmbimet e territoreve mund të ngjallin plagët e vjetra në Ballkan dhe të shkaktojnë luftë.
“Hapja e bisedimeve për territorin dhe kufijtë do të thotë hapje e plagëve të së kaluarës dhe e kaluara është tragjike” ka thënë Haradinaj për rrjetin televiziv francez ‘France 24’, duke shtuar se ai ishte një nga komandantët në luftën e fundit në Kosovë.
Sipas tij, kufijtë ishin subjekt i luftërave të fundit dhe rivendosja e kufijve është e rrezikshme.
“Ndryshimi i kufijve nuk e afron marrëveshjen por na lë larg saj”, ka përfunduar kryeministri.