Rritja e madhe e importit të energjisë elektrike dhe rënia e prodhimit vendor kanë shtuar pasigurinë për sektorin energjetik në vend, kanë vlerësuar njohës të kësaj fushe. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë nëntëmujorit të këtij viti importi është rritur për 48 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, duke hapur debatin për mostransparencën e ZRRE-së dhe mundësinë e rritjes së tarifave të energjisë.
Për 48 për qind është rritur importi i energjisë elektrike gjatë nëntëmujorit të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, derisa importi ka shënuar rritje, gjatë kësaj periudhe është regjistruar rënie e prodhimit vendor për afro 20 për qind.
Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, tha se importi në pesë vjetët e fundit është katërfishuar krahasuar me pesë vjetët paraprakë. Ai tha se rritje e madhe vërehet edhe kur krahasohet 3-mujori i vitit të shkuar me atë të sivjetmë.
“Në bazë të të dhënave të Doganës së Kosovës rrjedh që në tremujorin e parë të 2025 janë importuar rreth 125 milionë euro energji elektrike, ndërsa në tremujorin e parë të 2024 janë diku rreth 45 milionë euro. Shihet një rritje enorme e importeve, për diku trefishim të sasisë dhe më shumë shqetësuese në këtë është se kjo sasi e importeve është para se të fillojë procesi i renovimit të “Kosovës B”. Kjo e rrit edhe frikën se do të kemi ndoshta nevojë për korrigjim të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026”, ka thënë Haxhimusa.
E në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kanë njoftuar se në fund të këtij muaji do të fillojë shqyrtimi i tarifave të reja për vitin 2026, por nuk kanë treguar nëse ka indikacione për rritje të tyre apo jo.
“Shqyrtimi i tarifave do të bëhet sipas orareve të përcaktuara në Rregullën për Përcaktimin e Tarifave dhe Çmimeve. Procesi pritet të fillojë në fund të këtij muaji dhe pritet të zgjasë deri në fund të muajit mars të vitit 2026”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.
Rritja e importit të energjisë është shoqëruar edhe me dominimin në treg të një kompanie, gjë që ka nxitur debat e akuza mes partive politike në vend.
Sipas Haxhimusës, kjo do të mund të sqarohej lehtësisht nëse do të kishte transparencë nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
“Këtë zjarr do ta shuante apo ndizte më shumë nëse Zyra e Rregullatorit për Energji do të dilte dhe do të tregonte se nga po vijnë këto importe dhe se ata nëse nuk i kanë këto të dhëna shumë lehtë e obligojnë tregtarin që të ofrojë këto të dhëna se nga po vijnë importet dhe cilat rrugë janë shfrytëzuar për të ardhur ajo energji deri tek konsumatori fundor”, ka thënë Haxhimusa.
Jotransparente ZRRE-ja është treguar edhe në rastin e mospublikimit të Planit Vjetor për Energji për vitin 2025, të cilin e miratoi 13 muaj pas pranimit të kërkesës nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).
KOHA ka kërkuar nga ky institucion arsyet e vonesës në miratimin e Planit vjetor dhe për mospublikimin e tij, por nuk ka marrë përgjigje.
Ani se ky plan është miratuar më 7 nëntor 2025, nuk është publikuar ende në faqen e ZRRE-së.
Të dhënat e bilancit vjetor, që bazohet në nevojat e planifikuara të konsumit të energjisë për vitin 2025, nuk u bënë publike as në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së.











