Komisioni i Pavarur i Mediave, Autoriteti i Konkurrencës, Radio Televizioni i Kosovës, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit janë në listën e këtyre institucioneve. Sipas njohësve të punës së Kuvendit, kjo situatë do të sjellë pasoja të mëdha për vendin.
Kosova nuk ka themeluar në tërësi institucionet e reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Pavarësisht se Kuvendi është konstituuar pas gjashtëdhjetë tentimesh, ai ende nuk është funksionalizuar si pasojë e dështimit të formimit të qeverisë së re.
Albin Kurti, si mandatar për kryeministër nga LVV-ja, partia e parë në zgjedhje dështoi më 26 tetor të formojë qeverinë e re, pasi mori vetëm 56 vota nga 61 të nevojshme në Kuvend, raporton KosovaPress.
Kjo parti më 4 nëntor ka propozuar Glauk Konjufcën për mandatar të ri për formimin e qeverisë, dhe i njëjti ka kohë deri më 19 nëntor t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës kabinetin e ardhshëm qeveritar për votëbesim.
Këto vonesa në funksionalizimin e punës së Kuvendit, sipas hulumtuesit në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, do të sjellin pasoja të mëdha.
Ai thotë për KosovaPress se një numër i madh institucionesh dhe agjencish që varen nga emërimet nga Kuvendi, mbeten peng i mos funksionimit të plotë të legjislaturës së nëntë.
“Kosova do t’i ketë disa pasoja, të cilat ne do t’i ndiejmë edhe më vonë. Ne kemi mungesë të anëtarëve të Bordit të Autoritetit të Hekurudhave, Komisionit të Pavarur për Media, Autoritetit të Konkurrencës, Bordit të RTK-së, Avokatit të Popullit,” tha ai.
Avokati Ardian Bajraktari thotë se është për keqardhje që një numër i konsiderueshëm i institucioneve vitale të shtetit tashmë janë jofunksionale.
Sipas tij, nëse kriza politike vazhdon, numri i këtyre institucioneve pa borde funksionale do të rritet.
Ai shton se në krizën aktuale edhe zgjedhjet mund të jenë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë, por që nuk ka garanci se do të ketë ndonjë verdikt ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Është për keqardhje fakti që një numër i konsiderueshëm institucionesh vitale për shtetin tashmë janë jofunksionale. Për fat të keq, ky numër do të shkojë gjithnjë në rritje. Edhe zgjedhjet janë një zgjidhje, pavarësisht se në bindjen time jo më e mira e mundshme. Në instancën e fundit nuk ka garanci se mund të ketë ndonjë verdikt esencial ndryshe nga ai që kemi pasur në shkurt të këtij viti,” thekson Bajraktari.
Njohësi i zhvillimeve politike, Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress se për shkak të mos funksionalizimit të institucioneve dhe agjencive të pavarura të Kosovës, dëmet mund të jenë të pariparueshme dhe me pasoja afatgjata.
“Janë të pariparueshme dhe të pallogaritshme dhe me pasoja afatgjata. Jo rastësisht me Kushtetutë janë paraparë institucionet e pavarura qeverisëse dhe agjencitë e caktuara. Ato, në fushat e tyre specifike, bëjnë punë me interes të jashtëzakonshëm shtetëror dhe qytetar. Mosfunksionimi i tyre ose funksionimi i mangët me ushtrues detyre pa kuorum është paralizë e atyre organeve, pasi nuk funksionojnë si duhet,” deklaron Baraliu.
Në bazë të afateve kushtetuese, Konjufca, si mandatar i dytë, ka afat prej 15 ditësh për t’ia prezantuar Kuvendit kabinetin qeveritar.
Konjufca duhet të merr së paku 61 vota për postin e kryeministrit dhe formimin e qeverisë së re. Nëse as mandatari i dytë nuk arrin të sigurojë votat e nevojshme për të formuar qeverinë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje brenda 40 ditësh sipas fateve kushtetuese.
Zgjedhjet e reja po i kërkojnë edhe partitë e ish opozitës së kaluar – PDK, LDK, AAK dhe Nisma si të domosdoshme për të dalë nga kriza aktuale politike. /kp












