Paralajmërimi për bllokim të kufijve nga serbët, KFOR: Të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione

Kryetari i të ashtuquajturit Asociacioni i Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, ka paralajmëruar se nga 6 shtatori, serbët do të organizojnë bllokada në të gjitha pikat kufitare me Kosovën.

Sipas tij, bllokada do të zgjasë derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i vendit.

Lidhur me këtë paralajmërim është deklaruar KFOR-i.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, thuhet se “është e rëndësishme të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme”.

“Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Klankosova.tv.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë thotë se po i ndjek nga afër zhvillimet aktuale dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Ndërkaq, në përgjigje KFOR-i ka thënë se komente tjera lidhur me çështjen e paralajmërimit për bllokim kufijsh, mediat t’i drejtohen autoriteteve të Serbisë.