Kremlini tha të premten se tashmë është bërë ca progres në bisedime për një zgjidhje të mundshme të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por se kontaktet me Shtetet e Bashkuara janë të ndërlikuara.
“Kontaktet janë goxha të ndërlikuara, sepse, natyrisht, tema nuk është e lehtë” – tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Rusia është e përkushtuar për zgjidhjen e konfliktit, për garantimin e interesave të veta dhe është e hapur për dialog. Ne vazhdojmë që ta bëjmë këtë” – shtoi Peskovi.
Presidenti amerikan, Donald Trump, do të tërhiqet nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje të paqes mes Rusisë e Ukrainës brenda ditëve, nëse nuk ka shenja të qarta se një pakt mund të arrihet, tha të premten sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio
Kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara do të mund të tërhiqeshin nga kërkimi i një zgjidhjeje paqësore në Ukrainë, zëdhënësi i Kremlinit tha se kjo pyetje është për Uashingtonin.
“Ne besojmë se ca progres tashmë mund të vërehet” – shtoi ai, duke e përmendur moratoriumin e përkohshëm për ndërprerjen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, edhe pse pretendoi se Ukraina nuk e ka respektuar atë.
“Prandaj, zhvillime të caktuara tashmë janë arritur, por, natyrisht, ende janë shumë diskutime komplekse para nesh” – tha Peskovi.
Kur u pyet nëse moratoriumi për të mos e sulmuar infrastrukturën energjetike ka marrë fund, ai tha se tashmë është bërë një muaj, por nuk është marrë ndonjë urdhër nga presidenti Vladimir Putin për ta ndryshuar pozicionin e Rusisë në raport me marrëveshjen.