Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik për qarkullimin e disa e-mailave të rreme që pretendojnë të jenë dërguar nga zyrtarë të lartë të PK-së dhe organizata ndërkombëtare si FBI apo INTERPOL.
Në këto mesazhe, qytetarëve u kërkohet të paraqiten brenda 24 orësh në selinë e policisë, duke u kërcënuar me veprime të menjëhershme, por Policia e Kosovës sqaron se këto dokumente nuk janë të zyrtarizuara dhe janë të falsifikuara.
“Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara “FTESË/ARRESTIM I MENJËHERSHËM”, të lëshuara siç potencohen në e-mail nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve (FBI), Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) etj., e që kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për siç ceket “Keni 24 orë kohë për t’u paraqitur në selinë e policisë, departamenti i krimit kibernetik”, NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia ka njoftuar se hetimet intensive për këtë çështje kanë nisur dhe ka angazhuar njësitet kompetente për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët.
Qytetarët ftohen që të mos bien pre e këtyre dezinformatave dhe çdo e-mail të dyshimtë të dërgohet në adresën zyrtare [email protected] për verifikim dhe trajtim.










