Indeksi i investimeve që ngre pikëpyetje: A ishte Kosova vërtet ndër vendet më të sigurta për investime?
Kompania private, “Henley & Partners”, të enjten, renditi Kosovën para Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës e Japonisë në Indeksin Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve. Sipas kësaj kompanie Kosova ishte në mesin e shteteve më të sigurta në botë për të investuar. Nga 226 shtete, ajo u rendit në vendin e 26-të.
Në po atë ditë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u krenua me indeksimin që kompania private “Henley & Partners”, ia ka bërë Kosovës, duke potencuar se ky rankim i vendit është dëshmi e radhës “e rritjes ekonomike dhe fuqizimit të sundimit të ligjit dhe sigurisë, sektorë të cilët bëjnë të mundur që të kemi ambient të përshtatshëm për të bërë biznes dhe të ofrojmë mundësi për investim në shumë fusha”.
Megjithatë një ditë më vonë, të premten, emri i Kosovës është larguar nga lista. Kosova është larguar nga lista bashkë me një numër shtetesh të vogla në territor. Kompania që e ka bërë ranglistën nuk ka dhënë sqarime për këtë gjë.
Për ekspertin e ekonomisë, Adem Qorrolli, ky konstatim i kompanisë private duhet parë me shumë skepticizëm, meqë e njëjta nuk ka bërë publike metodologjinë e plotë, indikatorët e përdorur, apo burimet e të dhënave që çuan në këtë renditje.
“Pa transparencë metodologjike, çdo indeks mbetet një produkt marketingu, jo një analizë shkencore. Është e mundur që vlerësimi të jetë bërë mbi kritere shumë të kufizuara, apo madje përmes algoritmeve automatike që nuk reflektojnë realitetin ekonomik e institucional të vendeve”, thotë ai për Albanian Post.
Andaj zhdukja e Kosovës nga lista vetëm një ditë pas publikimit, beson ai, e forcon dyshimin se bëhet fjalë për një gabim ose manipulim teknik, dhe jo për një vlerësim të qëndrueshëm.
“ Ky rast duhet të shërbejë si paralajmërim për institucionet publike që të mos e përdorin verbërisht çdo ‘indeks ndërkombëtar’ për qëllime propagandistike”, potencon ai, duke shtuar se vlerësimet e tilla duhet të analizohen në mënyrë kritike dhe të krahasohen me të dhënat reale nga terreni.
Duke analizuar përmbajtjen e të dhënave para se Kosova të largohej nga lista, Qorrolli vlerëson se indeksi i “Henley & Partners” për Kosovën nuk ka pasqyruar realitetin në terren, por përkundrazi e ka shtrembëruar atë, duke e paraqitur një tablo të rreme të sigurisë dhe qëndrueshmërisë ekonomike në vend.
“Nëse e krahasojmë renditjen e publikuar nga ‘Henley & Partners’ me realitetin në terren, rezulton se të dhënat janë shumë pak të besueshme dhe nuk përputhen me indikatorët që zakonisht matin sigurinë dhe qëndrueshmërinë e investimeve”, shton ai.
Në Kosovë, sipas Qorrollit, investitorët përballen ende me sfida serioze.
“Pasiguria juridike, ku zbatimi i kontratave dhe vendimeve gjyqësore shpesh vonohet apo mbetet i paplotë. Korrupsioni dhe mungesa e transparencës institucionale, që ndikojnë direkt në klimën e biznesit; Infrastruktura e kufizuar dhe problemet me furnizimin energjetik, të cilat janë faktorë kyç për çdo investim të qëndrueshëm. Tregu i vogël dhe varësia e lartë nga importet, që kufizojnë potencialin e zhvillimit ekonomik”.
Liderët kosovarë, konsideron eksperti financiar, Florin Aliu, nuk duhet të kënaqen me renditjen në këtë indeks, përderisa në Kosovë ende nuk ka investime serioze në Kosovë.
“Përtej këtij indeksi, fokusi duhet të jetë në faktorët që ndikojnë në mosardhjen e investimeve të huaja”, thotë ai për AP.
Duke analizuar indeksin në fjalë, Aliu, potencon se në aspektin e të bërit biznes është fakt që Kosova ka bërë hapa përpara në këtë drejtim.
“Kjo dokumentohet edhe përmes raportit të të bërit biznes. Në anën tjetër, siguria politike është e rëndësishme. Kosova nuk bën pjesë në vendet ku politika përfshihet në përjashtimin e bizneseve apo në ndikimin e drejtpërdrejtë mbi to. Prandaj, ky indeks mund të justifikohet në këta terma”, shton ai.
Si përfundim indeksi i “Henley & Partners” e renditi Kosovën ndër vendet më të sigurta për investime, por mungesa e transparencës dhe zhdukja e vendit nga lista pas një dite tregon se kjo renditje nuk pasqyron realitetin ekonomik dhe sfidat e investimeve në terren.










