Paraburgim për të miturin që dyshohet se vrau rreshterin Lika, Gjykata jep detaje se si ndodhi rasti

Një muaj paraburgim i është caktuar të miturit që është arrestuar sot si i dyshuar për vrasjen e policit në Kaçanik, Muhamed Lika.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se i mituri pasi e kryen aktin shkon në drejtim të një lokali ku takohet me të dyshuarin tjetër dhe bshkë largohen.

Në pamjet e kamerave dëgjohet se një person thotë “bravo, ik”.

Po ashtu thuhet se një tjetër i dyshuar shkon në vendin e ngjarjes 14 minuta pas vrasjes dhe pas 2 minutave largohet.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamenti për të Mitur – Shabi Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 1 prill 2025 rreth orës 23:00 në Kaçanik, përkatësisht në hyrje të një ndërtese, i mituri në bashkëkryerje me madhorët H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G., me dashje dhe me përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policorë – Rreshter M.L., me detyrë në Stacionin Policorë në Kaçanik, në atë mënyrë që viktima pas përfundimit të orarit të punës në ora 22:53, rrugës për në banesën e tij ku i njëjti ishte përcjellur në vazhdimësi nga madhorët deri tek hyrja e banesës së tij, ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ai ka jetuar, duke u ngjitur shkallave, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor, pas tij hyn edhe i mituri ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gërzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra viktima M.L., në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, e pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të një lokali, ku bashkohet me të pandehurin R.M., i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes një rrufe të qytetit ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke i thënë “Bravo ik”, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i mituri së bashku me të pandehurin R.M. dhe V.Ç., dhe lëvizjet e të pandehurve tjerë, ndërsa pas vrasjes i pandehuri D., ka ndihmuar të miturin të largohet nga vendi i ngjarjes kurse i pandehuri H.B., rreth 14 minuta mbrapa vrasjes vjen në vendin e ngjarjes ndërsa pas 2 minutave largohet.”