Paraburgim ndaj të dyshuarit për grisjen e Kuranit në Prizren

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit I.P., për grisjen e librit të shenjtë të fesë islame- Kuranit, më 3 mars në Prizren.

Ai  dyshohet se me veprimet e tij, ka nxitur urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare.

“Nga provat e siguruara nga Policia me autorizim të PSRK-së e të bashkangjitura kërkesës për caktim të masës së paraburgimit e të cilat prova gjenden në shkresa të kësaj lënde, gjykata vlerëson dhe konstaton se në rastin konkret plotësohen kushtet ligjore ngase ekziston dyshimi i bazuar se me datën 03.03.2025, rreth orës 12:10, në Prizren, në afërsi të teges Halveti, ka nxitur he përhapur publikisht urrejtje dhe mos durim midis grupeve fetare”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

I.P., thuhet se kishte grisur librin e shenjtë, teksa copëzat e grisura në rrugë i kishin vërejtur qytetarët.

“I njëjti e kishte marrë librin e shenjtë të myslimanëve, Kur’anin të cilin e kishte grisur, ashtu që pasi qytetarët i kanë vërejtur copëzat e grisura në rrugë, rastin e kanë paraqitur në polici dhe me këtë rast është shkaktuar mllef i madh te komuniteti islam dhe është cenuar bashkëjetesa mes grupeve me ideologji të ndryshme fetare me çka edhe mund të prishej rendi dhe qetësia publike”, thuhet tutje në vendim.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, par.l të Kodit Penal.

I dyshuari ishte ndaluar më 4 mars, me aktvendim të Prokurorisë Speciale.