Paqartësi ligjore dhe përplasje gjyqësore: Çështja e Telekomit dhe PAYKOS kalon te Gjykata Supreme

Një përplasje juridike për kompetencat mes Gjykatës Komerciale të Kosovës dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nxjerrë në pah paqartësi ligjore lidhur me njohjen e vendimeve të huaja gjyqësore. Rasti konkret lidhet me një propozim të Telekomit të Kosovës Sh.A. për njohjen dhe ekzekutimin e një vendimi të Gjykatës Supreme të Zvicrër ndaj PAYKOS Sh.A. Pasi dy gjykatat nuk ranë dakord mbi kompetencën për shqyrtimin e kësaj çështjeje, lënda tashmë i është dërguar për vendimmarrje në Gjykatën Supreme të Kosovës. Ky rast në tërësinë e tij e vë në provë sistemin gjyqësor të Kosovës, duke theksuar nevojën për një interpretim më të qartë të kompetencave mes Gjykatave Themelore dhe Gjykatës Komerciale, shkruan Demokracia.com.

Me aktvendimin e saj të datës 11 shtator 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë deklaroi se nuk kishte kompetencë lëndore për trajtimin e kësaj çështjeje dhe ia kaloi dosjen Gjykatës Komerciale, duke argumentuar se sipas nenit 13, paragrafi 1 i Ligjit 06/L-015 për Gjykatën Komerciale, kjo e fundit ka juridiksion ekskluziv për njohjen dhe zbatimin e vendimeve të arbitrazhit vendor dhe ndërkombëtar.

Mirëpo, pasi mori dosjen, Gjykata Komerciale e refuzoi kompetencën, duke argumentuar se dispozitat e nenit 13 të këtij ligji nuk përfshijnë njohjen e vendimeve të huaja gjyqësore, por vetëm të vendimeve të arbitrazhit. Kështu, sipas nenit 12, paragrafi 2 të Ligjit 06/L-054 për Gjykatat, njohja e vendimeve të huaja i takon Gjykatave Themelore.

“Hapet konflikti i kompetencës në mes të Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Ekonomike dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm për të vendosur në çështjen juridike sipas propozimit për njohje të vendimit të huaj gjyqësor – aktgjykimit nr. … të datës … të Gjykatës Supreme të Zvicrës – Sektori për Çështje Civile. II. Për të vendosur lidhur me konfliktin e kompetencës, lënda i dërgohet Gjykatës Supreme të Kosovës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale të cilin e ka parë Demokracia.com.

Fillimisht, propozuesi Telekomi i Kosovës Sh.A., me datë 21.08.2024, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm ka parashtruar propozim për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit gjyqësor të nxjerrë jashtë Republikës së Kosovës, ndaj kundër propozuesit PAYKOS Sh.A., dhe atë aktgjykimit nr. … të Gjykatës Supreme të Zvicrës – Sektori për Çështje Civile.

Komercialja, duke treguar historianin, tutje ka shkruar se, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, me Aktvendimin CN.nr. 275/2024 të datës 11.09.2024, është shpallur jo kompetente në pikëpamje lëndore për të vendosur në këtë çështje dhe lëndën e ka dërguar për vendosje në Gjykatën Komerciale të Kosovës, me arsyetim së në kuptim të dispozitave nga neni 13 par.1 të Ligjit 06/L-015 të Gjykatës Komerciale, kompetente është Gjykata Komerciale e Kosovës, sipas kompetencës lëndore pasi që palët janë subjekte ekonomike dhe vendimi i cili kërkohet për njohje ka të bëjë me çështje të tyre tregtare. Gjithashtu ka arsyetuar se bazuar në nenin 3 të Ligjit për Procedurën Jo Kontestimore lidhur me nenin 17 dhe 19 të LPK-së përcaktohet se gjykata gjatë gjithë procedurës sipas detyrës zyrtare kujdeset për kompetencën e vet lëndore.

“Gjykata, pas pranimit të dosjes së lëndës nga Gjykata Themelore në Prishtinë, vlerësoi kompetencën e saj lëndore dhe erdhi në përfundim se kjo gjykatë, nuk ka kompetencë lëndore për të vendosur lidhur me propozimin e propozuesit për njohjen e vendimit të huaj gjyqësor – aktgjykimit nr. … të Gjykatës Supreme të Zvicrës – Sektori për Çështje Civile i datës …, për shkaqet si në vijim: Me nenin 13 par.1 nën-par. 1.3 të Ligjit nr. 08/L-015 për Gjykatën Komerciale ( tutje si LGJK) është përcaktuar se Gjykata Komerciale është kompetente për të gjykuar dhe ka juridiksion ekskluziv për të gjykuar, në Dhomat e Shkallës së Parë dhe Dhomat e Shkallës së Dytë për “njohjen dhe lejimin e zbatimit të vendimeve të arbitrazhit vendor dhe ndërkombëtar”, lidhur me paragrafin 2 i cili përcakton se: “Të gjitha çështjet e përcaktuara në nën-paragrafët 1.1, 1.2, 1.3, 1.4, 1.5 dhe 1.9 të paragrafit 1 të këtij neni do të trajtohen në shkallë të parë nga Departamenti për Çështje Ekonomike”.

Nga dispozita e nenit 13 të LGJK-së rezulton se kompetencë ekskluzive e Gjykatës Komerciale të Kosovës ndër tjerash është edhe njohja dhe lejimi i zbatimit të vendimeve të arbitrazhit vendor dhe ndërkombëtar por që me dispozitat e nenit 13 të këtij ligji, nuk përcaktohet kompetenca lëndore e kësaj gjykate që të zhvilloj procedurën e njohjes edhe në raport me vendimet e huaja gjyqësore, pra vendimeve që nxjerrën nga gjykatat e rregullta jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

“Andaj, Gjykata Themelore në Prishtinë, me rastin e shpalljes jo kompetente në pikëpamje lëndore sipas aktvendimit CN.nr. 275/2024 të datës 11.09.2024, gabimisht iu është referuar dispozitës së nenit 13 par.1.3 të LGJK-së meqenëse kjo dispozitë, i jep kompetencë ekskluzive lëndore kësaj gjykate vetëm në raport me njohjen e vendimeve të arbitrazhit por jo edhe njohjen e vendimeve gjyqësore. Përkitazi me këtë, kompetenca e Gjykatave Themelore në Republikën e Kosovës për të zhvilluar procedurën e njohjes së vendimeve të huaja gjyqësore shprehimisht përcaktohet me nenin 12 par.2 të Ligjit nr. 06/L-054 për Gjykatat i cili parasheh se “Gjykatat themelore janë kompetente për të dhënë ndihmë juridike ndërkombëtare dhe për të vendosur për pranimin e vendimeve të gjykatave të huaja”. Ndërsa, përkundër që me Ligjin për Gjykatën Komerciale i cili ka hyrë në fuqi me datë 25 shkurt 2022, tek dispozitat kalimtare të saj, me nenin 37 janë shfuqizuar disa nga dispozitat e Ligjit 06/L-054 për Gjykatat, këto ndryshime nuk kanë shfuqizuar nenin 12 par.2 të këtij ligji me të cilën gjykatave themelore, iu është njohur kompetenca ekskluzive për zhvillimin e procedurës për njohjen e vendimeve të huaja gjyqësore”, shkruhet në raportin e Gjyaktës Komerciale për këtë rast.

Po, sipas komercilajes, për më tepër, me Ligjin nr.08/L-028 për të Drejtën Ndërkombëtare Private (tutje si LDNP), ligj ky i cili është nxjerrë pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 08/L-015 për Gjykatën Komerciale, me nenin 168 par.1 të saj shprehimisht është përcaktuar se “Për njohjen e vendimeve të huaja gjyqësore vendos gjykatësi individual i gjykatës themelore”. Me dispozitën e lartcekur, rregullohet kompetenca funksionale dhe lëndore në raport me procedurën e njohjes së vendimeve të huaja gjyqësore ashtu që kompetencë lëndore përcaktohet të ketë vetëm gjykata themelore ndërsa procedura zhvillohet para gjyqtarit individual. Në anën tjetër, me par. 2 të nenit 168 të LDNP-së rregullohet kompetenca territoriale ku përcaktohet se “Për njohjen e vendimeve të huaja gjyqësore territorialisht është kompetente çdo gjykatë që ka kompetencë lëndore”. Duke qenë se LDNP paraqet ligj të veçantë (lex specialis) lidhur me përcaktimin e kompetencës lëndore për çështjet me element të huaj, përfshirë këtu edhe kompetencën lëndore të gjykatave në Republikën e Kosovës për zhvillimin e procedurës së njohjes dhe ekzekutimit të vendimeve të huaja gjyqësore, edhe nga dispozitat e këtij ligji, rezulton se kompetencë ekskluzive për vendosje sipas propozimit për njohje të vendimeve të huaja gjyqësore i është dhënë vetëm Gjykatave Themelore dhe jo Gjykatës Komerciale të Kosovës.

“Andaj, fakti që si palë në këtë procedurë paraqiten dy subjekte juridike dhe se çështja e gjykuar me vendimin gjyqësor që kërkohet të njihet është i natyrës tregtare, të njëjtat nuk paraqesin kritere për caktimin e kompetencës lëndore të Gjykatës Komerciale të Kosovës në raport me zhvillimin e procedurës për njohjen e vendimit të huaj gjyqësor, kjo meqenëse statusi i palëve dhe çështja tregtare si objekt kontesti, merren si kritere për përcaktimin e kompetencës së Gjykatës Komerciale vetëm në raport me kontestet taksative të listuara me nenin 13 të Ligjit për Gjykatën Komerciale. Andaj Gjykata Komerciale e Kosovës, duke vepruar sipas dispozitës së nenit 24 par.1 dhe 3 dhe 25 par.2 të LPK-së, vendosi si në dispozitiv të këtij aktvendimi, duke hapur konfliktin e kompetencës në këtë çështje juridike kontestimore”, ka shkruar në fund Gjykata Koimerciale.

Siç shihet, ky rast ka nxjerrë në pah një paqartësi ligjore mes dy akteve juridike. Nga njëra anë, Gjykata Themelore argumenton se përderisa palët në proces janë subjekte ekonomike dhe vendimi i huaj gjyqësor lidhet me transaksione tregtare, kompetenca i takon Gjykatës Komerciale. Nga ana tjetër, Gjykata Komerciale e sheh veten të paaftë për të gjykuar kësilloj rastesh, pasi ligji nuk e parasheh shprehimisht njohjen e vendimeve të huaja gjyqësore si pjesë të juridiksionit të saj.

Duke qenë se asnjëra nga gjykatat nuk pranoi të merrte përsipër trajtimin e kësaj lënde, ajo tashmë ka kaluar në Gjykatën Supreme të Kosovës, e cila duhet të vendosë përfundimisht se cila nga gjykatat është kompetente për shqyrtimin e rastit.

Telekomi i Kosovës Sh.A, në cilësinë e ndërmarrjes publike, kishte njoftuar aksionarin dhe publikun se me datë 27 dhjetor 2023 është lëshuar vendimi përfundimtar i arbitrazhit me nr. 300595-2022 pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit (“Vendimi i Arbitrazhit”). Vendimi i Arbitrazhit përfshin Paykos LLC në cilësinë e Paditësit dhe Telekomin e Kosovës Sh. A. në cilësinë e palës së paditur dhe lidhet me Marrëveshjen e Partneritetit të nënshkruar më 2015.

Vendimi i Arbitrazhit e detyron Paykos t’i paguajë Telekomit të Kosovës shumën prej 1,400,000 euro, derisa Telekomi i Kosovës detyrohet t’i paguajë Paykos rreth 850,000 euro. Megjithatë, janë dy aspekte me rëndësi në lidhje me këtë proces.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte njoftuar se më 3 maj  2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Agron Mustafës.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme” në rastin “Paykos”. Kësisoj, Mustafa dyshohet se i ka shkaktuar dëm Telekomit të Kosovës, mbi gjashtë milionë euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, “ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 €”.

Prandaj, Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës që Mustafa të shpallet fajtor dhe dënohet sipas ligjit.

“Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të lartcekur, andaj Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Kontrata e lidhur nga Telekomi që kishte të bëjë me shitjen e produkteve të Valës me kompaninë “Paykos”. /Demokracia.com/