Papërgjegjësi politike, Kosova në rrugë pa ‘krye’ 3 muaj pas zgjedhjeve

Tre muaj pas zgjedhjeve, Kosova ende s’ka Kuvend të konstituuar. Deputetët e betuar kanë dështuar 13 herë në përpjekjet e tyre për ta formuar atë, mes përplasjesh dhe akuzash, si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit.

Në pesë seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar në votim të fshehtë për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun. Megjithatë, në gjashtë seanca paraprake, ajo nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në votim të hapur.

Seanca e sotme u ndërpre dhe pritet të vazhdojë të dielën në mëngjes, me gjasë të madhe për të qenë një tjetër dështim.

Vetëvendosje, e cila doli fituese me 48 ulëse — 13 më pak se shumica e nevojshme prej të paktën 61 për formimin e qeverisë, fillimisht ftoi në takim kryetarët e PDK-së dhe LDK-së.

Memli Krasniqi pranoi ftesën, por takimi përfundoi pa ndonjë rezultat.

Më pas, Albin Kurti i dërgoi një letër-lutje për bashkëpunim Lumir Abdixhikut, por ky e refuzoi ofertën dhe në vend të saj propozoi një qeveri tranzitore me pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare.

Vetëvendosje e refuzoi menjëherë këtë propozim, ndërsa kryetari i PDK-së, së bashku me Ramush Haradinajn e AAK-së, deklaruan se janë të hapur për një “qeveri të opozitës”, transmeton Klankosova.tv

Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmërinë e saj për të ndihmuar në kapërcimin e këtij ngërçi politik.

Gjithë kjo situatë po konsiderohet papërgjegjësi politike dhe s’dihet edhe sa do të vazhdojë.