Duke shtyrë një karrocë blerjesh në korridorin e një supermarketit, Walmart, Thomas Jennings, 53 vjeç, mbushi karrocën me lëngje, erëza dhe gjithçka që mundi të mendonte.
“Po blej dyfish të gjithçkaje – fasule, produkte të konservuara, miell, gjithçka”, tha ai.
Strategjia e tij është të mbledhë sa më shumë të mundet para se të hyjë në fuqi raundi i fundit i taksave të importit të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.
Më herët, në Costco (COST.O), Jennings bleu miell, sheqer dhe ujë me shumicë. “Po vjen një recesion dhe po përgatitem për më të keqen”, tha ai.
Si shumë blerës të tjerë në SHBA, Jennings beson se çmimet e shitjeve do të rriten së shpejti për shkak të taksave të Trumpit, transmeton Telegrafi.
The Tax Foundation, grup kërkimor jopartiak dhe jofitimprurës, tha se tarifat e reja do t’u kushtojnë amerikanëve 3.1 trilionë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme, që do të përbëjë një rritje taksash prej rreth 2100 dollarësh për çdo familje vetëm në vitin 2025.
Edhe pse shumë blerës po ndjekin një qasje “prit dhe shiko”, disa kanë frikë se çdo panik do të shkaktojë një frikë akumulimi që do të intensifikohet nga pritshmëritë për inflacion edhe më të keq, shkruan reuters.
Manish Kapoor, themelues i GCG, një kompani menaxhimi të zinxhirëve të furnizimit jashtë Los Anxhelos, tha se tarifat po zgjojnë frikërat për raftet bosh të dyqaneve që janë përballur gjatë pandemisë, kur ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit çuan në mungesë produktesh dhe inflacion.
“Ne e pamë këtë gjatë COVID-19, kur të gjithë panikisht shkuan dhe morën gjithçka që kishte në raftet e dyqaneve, pavarësisht nëse kishin nevojë apo jo”, tha Kapoor dhe shtoi se “ende nuk ka arritur në atë nivel, por njerëzit janë të shqetësuar se çmimi (i mallrave) do të rritet dhe, e dini, le të akumulojmë”.
Ndryshe, Walmart dhe Costco nuk u përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.