Komuna e Prishtinës ka shpallur një tender për menaxhimin e mbeturinave për tre vitet e ardhshme, me një vlerë prej 16.5 milionë euro, i ndarë në gjashtë lote. Megjithatë, kriteret e vendosura në ‘dosjen e tenderit’ dhe në ‘njoftimin për kontratë’ tregojnë se disa nga specifikimet teknike të kërkuara kufizojnë konkurrencën, duke favorizuar një operator të vetëm ose duke diskriminuar të tjerët. Këtë e ka konstatuar Paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) në vendimin e tij final për këtë tender të Komunës, i cili ka qenë në shqyrtim për disa javë. Paneli ka urdhëruar komunën që të përmirësojë disa nga kriteret e vendosura dhe të zgjasë afatin për ofertim, shkruan Demokracia.com.
Sipas rregullave, vendimi i Panelit duhet të ishte publikuar në faqen zyrtare të OSHP-së “oshp.rks-gov.net” por ende nuk është bërë publik. Ndërkohë, në faqe janë publikuar disa vendime të tjera të Panelit, por jo edhe ky. Demokracia.com ka mësuar nga burimet e saj se vendimi është marrë si i plotfuqishëm në fund të javës së kaluar.
Para se të merrte vendimin, Paneli kishte autorizuar një eksperte shqyrtuese për të analizuar pretendimet ankimore mbi këtë tender, i cili dyshohet se përmbante kritere të jashtëligjshme. Pas shqyrtimit, Bordi i OSHP-së i ka dhënë të drejtë ekspertes së tij, e cila ka konstatuar shkeljet. Demokracia.com nuk ka informacione nëse Paneli ka pranuar të gjitha pretendimet ankimore, por bazuar në vendimin e tij, shkeljet janë të dukshme dhe tashmë Komuna është e urdhëruar t’i përmirësojë kriteret.
Komuna do të duhet të zbatojë këtë vendim sapo të rregullohet sistemi i e-Prokurimit, i cili aktualisht është jashtë funksionit.
Më 23 dhjetor 2024, Operatori Ekonomik “G.S.G SH.P.K.” nga Prishtina paraqiti një ankesë pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kundër njoftimit për kontratë të shpallur nga Komuna e Prishtinës. Ankesa lidhej me tenderin për “Menaxhimin e mbeturinave”, duke ngritur shqetësime mbi kriteret kufizuese dhe diskriminuese të vendosura gjatë procesit të prokurimit.
Pas shqyrtimit të ankesës, eksperti i OSHP-së konstatoi se në këtë tender janë vendosur kritere që favorizojnë disa operatorë, duke shkelur parimet e trajtimit të barabartë dhe konkurrencës së lirë. Për këtë arsye, eksperti rekomandoi ndryshimin e disa specifikimeve në dosjen e tenderit.
Tenderi, me vlerë të parashikuar 16.5 milionë euro, parashikonte shërbime për menaxhimin e mbeturinave përmes një procedure të hapur. Sipas ankuesit, një nga kriteret më problematike ishte kërkesa për praninë fizike të pajisjeve në Kosovë gjatë fazës së vlerësimit të ofertave.
Kjo kërkesë favorizonte operatorët që tashmë zotëronin pajisjet, ndërsa penalizonte ata që planifikonin t’i siguronin përmes marrëveshjeve të qirasë. Për më tepër, Autoriteti Kontraktues (AK) kishte vendosur kritere shtesë si:
Pajisja e të gjithë kamionëve me sistem identifikimi RFID, që dërgon të dhëna në kohë reale në softuerin e komunës.
Dorëzimi i marrëveshjeve të qirasë për pajisjet (nëse nuk janë në pronësi), duke kërkuar që pajisjet të jenë fizikisht të pranishme për verifikim nga komisioni.
Konstatimet e ekspertit të OSHP-së
Eksperti vlerësoi se këto kritere shkelin parimet bazë të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), duke krijuar barriera të panevojshme:
Trajtimi i pabarabartë: Kërkesat favorizojnë operatorët lokalë ose ata që zotërojnë pajisjet, duke diskriminuar operatorët e huaj dhe ata që përdorin pajisje me qira.
“Eksperti shqyrtues vlerëson se kërkesa për prani fizike të pajisjeve në Kosovë kufizon pjesëmarrjen e operatorëve të huaj dhe rrit barrierat për ata që planifikojnë të marrin pajisje me qira. Ky kufizim jo vetëm që rrit koston dhe kompleksitetin e ofertave, por gjithashtu cenon konkurrencën e drejtë midis operatorëve ekonomikë. Detyrimi i AK-së që pajisjet të jenë në vend punishte në Kosovë gjatë fazës së vlerësimit shkel parimet themelore të Nenit 7, i cili ndalon krijimin e kushteve që kufizojnë pjesëmarrjen dhe imponimin e kërkesave që nuk lidhen drejtpërdrejt me realizimin e kontratës. Kjo praktikë diskriminon operatorët që marrin pajisje me qira ose janë të huaj, duke favorizuar operatorët lokalë. Kufizimet mbi pronësinë dhe lokacionin e pajisjeve janë në kundërshtim me Nenin 71 të LPPsë, i cili kërkon që kërkesat të jenë proporcionale dhe të aplikohen për grupet si tërësi. Kërkesa për prani fizike të pajisjeve para shpalljes së fituesit imponon kushte të panevojshme që dëmtojnë konkurrencën. OE-të që planifikojnë të marrin pajisje me qira janë të detyruar të përballojnë kosto shtesë për të siguruar prani fizike në Kosovë, që paraqet një disavantazh të panevojshëm krahasuar me operatorët lokalë. Kjo kufizon konkurrencën dhe rrit çmimin e ofertave. AK-ja duhet të korrigjojë kërkesën për pronësinë dhe lokacionin e pajisjeve gjatë fazës së vlerësimit. Si zgjidhje, rekomandohet që verifikimi fizik i pajisjeve të bëhet vetëm pas përzgjedhjes së fituesit. Ky ndryshim do të: · Rrisë konkurrencën duke lehtësuar pjesëmarrjen e operatorëve të huaj dhe atyre që marrin pajisjet me qira. · Ulë kostot dhe komplikimet e panevojshme për operatorët ekonomikë”.
Verifikimi fizik i pajisjeve: Sipas nenit 69 të LPP-së, AK-ja mund të kërkojë raport mbi pajisjet teknike, por kërkesa për praninë fizike gjatë fazës së vlerësimit konsiderohet e panevojshme dhe e paarsyeshme. Verifikimi i tillë mund të bëhet pas përzgjedhjes së fituesit.
“Eksperti shqyrtues fillimisht sqaron se, vendosja e kritereve të vlerësimit është kompetencë dhe përgjegjësi e plotë e Autoritetit Kontraktues siç përcaktohet nga Neni 52.4 të LPP-së por nuk duhet të kenë në asnjë rast efektin e dhënies së një lirie të pakufizuar sipas zgjedhjes së autoritetit kontraktues. Pas analizimit të pretendimeve ankimore në proporcion me legjislacionin në fuqi eksperti shqyrtues vlerëson se Ligji për Prokurimin Publik (LPP) në nenin 7.1 dhe 7.6 garanton trajtim të barabartë të OE-ve dhe ndalon kufizimin e konkurrencës. Kërkesat aktuale favorizojnë operatorët që tashmë i kanë pajisjet dhe diskriminojnë ata që planifikojnë të marrin pajisje me qira. Gjithashtu neni 69.4.5. thekson se AK mund të kërkojë raport mbi pajisjet teknike, por nuk parashikon detyrimin për prezencën e tyre fizike gjatë fazës së vlerësimit. Kërkesat aktuale janë të tepërta dhe krijojnë barriera të panevojshme. Vendosja e kritereve të tilla rrit kostot dhe pengon pjesëmarrjen e OE-ve që planifikojnë të marrin pajisje me qira. AK duhet të pranojë deklarata dhe dokumente tjera që tregojnë se OE do të sigurojë pajisjet pas shpalljes si fit”.
Kufizimi i konkurrencës: Kërkesat kufizuese rrisin kostot dhe e bëjnë të vështirë pjesëmarrjen e operatorëve, duke ndikuar negativisht në garën e lirë.
Siç ka raportuar edhe Demokracia.com pika 3 e ankesës, ka të bëjë më kërkesat për standardet e emetimit të gazrave, si Euro 6, Euro 4 dhe Euro 3, janë identifikuar nga ankuesi si kufizuese dhe jo proporcionale, duke argumentuar se ato zvogëlojnë konkurrencën dhe rrisin kostot për operatorët ekonomikë që përdorin automjete të ligjshme dhe të regjistruara.
“Eksperti shqyrtues sqaron se Ligji për Automjete Nr. 05/L-132 në Kosovë lejon përdorimin e automjeteve të regjistruara që kalojnë kontrollet teknike periodike, pavarësisht standardeve të emetimit. Për më tepër, neni 7 i LPP-së kërkon që AK të eliminojë praktikat që kufizojnë konkurrencën ose favorizojnë një grup të OE-ve. Kërkesa për standarde specifike të emetimit të gazrave mund të zvogëlojë pjesëmarrjen dhe të rrisë kostot për OE-të që përdorin automjete të rregullta dhe të regjistruara ligjërisht. Standardet e emetimit të gazrave, si Euro 6, Euro 4, dhe Euro 3, janë standarde ndërkombëtare që përcaktojnë kufijtë maksimalë të emetimeve të ndotësve nga automjetet motorike si masë për mbrojtjen e mjedisit dhe integrimit të praktikave të qëndrueshme. Këto standarde kanë rëndësi për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, por aplikimi i tyre në kontekste specifike, siç është një kontratë për shërbime, duhet të vlerësohet me kujdes për të shmangur kufizimin e padrejtë të konkurrencës. AK duhet të rishikojë këtë kërkesë dhe të lejojë përdorimin e automjeteve të regjistruara dhe të lejuara nga ligji për të siguruar konkurrencë dhe drejtësi në procesin e tenderimit. Kërkesat për standarde specifike të emetimit mund të përjashtojnë operatorë ekonomikë me kapacitete financiare të kufizuara. Automjetet që plotësojnë standarde të larta zakonisht kërkojnë investime të konsiderueshme. Kufizimi i pjesëmarrësve në tenderë ul konkurrencën dhe mund të çojë në kosto më të larta për autoritetin kontraktues. Ligji për Automjete në Kosovë garanton që automjetet e regjistruara dhe që kalojnë kontrollet teknike janë të autorizuara për të operuar, duke e bërë kërkesën për standarde shtesë të panevojshme. AK-ja duhet të rishikojë kërkesën për standarde specifike dhe të lejojë pjesëmarrjen e automjeteve që janë të regjistruara dhe kalojnë kontrollet teknike sipas ligjit”.
Rekomandimet e ekspertit
Eksperti propozoi disa ndryshime për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent:
- Heqja e kërkesës për prani fizike në fazën e vlerësimit: Verifikimi i pajisjeve duhet të kryhet pas shpalljes së fituesit.
- Pranimi i marrëveshjeve të qirasë si dokument valid: Kjo do të shmangte diskriminimin dhe do të siguronte trajtim të barabartë për të gjithë operatorët.
- Lehtësimi i konkurrencës: Eliminimi i pengesave të panevojshme do të ulte kostot për operatorët dhe do të rrisë pjesëmarrjen në tender.
Në përfundim, ekspertja e OSHP-së theksoi se ndryshimet e propozuara janë thelbësor (RAPORTI). /Demokracia.com/
Lexo edhe: