Autor i emisionit ‘Debat Plus’, Ermal Panduri ka reaguar pas akuzave të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Jugut të Mitrovicës, Faton Peci lidhur me EXIT-POLL-in.
Panduri në një reagim në Facebook shkruan se është i vetëdijshëm se Peci është në kërkim të një ‘armiku’ në pjesën e dytë të fushatës, por kërkoi që të mos shpik aty ku nuk ekziston.
“Jam i vetëdijshëm që je në kërkim të një ‘armiku’ për pjesën e dytë të fushatës, por të lutem, mos e shpik aty ku nuk ekziston. Po e ri-përsëris, qetë dhe pa asnjë dramatizim: exit poll-i për Mitrovicën e Jugut ka qenë i pasaktë. Dhe UBO Consulting, si organizatë përgjegjëse dhe e cilësuar jo rrallëherë si më e besueshmja nga partnerët e juaj të sotëm, e ka pranuar gabimin, publikisht, vetëm një ditë pas zgjedhjeve. Kaq. Nuk është as skemë kriminale, as inxhiniering, as komplot”, shkruan Panduri.
Ai ka shtuar se RTV Dukagjini, por edhe ai personalisht nuk kanë asnjë parapëlqim për ndonjërin që janë në garë elektorale.
“RTV Dukagjini, por edhe unë personalisht, nuk kemi asnjë parapëlqim për ndonjërin prej jush që jeni në garë elektorale, siç duket ndryshe nga disa njerëz të koalicionit tuaj që ditën përkatëse na shprehnin me telefon dëshirën e tyre që të fitoj kundërkandidati juaj. Ndaj të lutem Faton, mos tentoni të krijoni artificialisht një armik vetëm që të polarizoni për mobilizim elektoral. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë punën tonë në kërkim të së vërtetës, me të njëjtën qetësi si gjithmonë. Pa polemikë të shpikur, pa dramë të porositur. I keni studiot të hapura për këtë. Ju mirëpresim. Nëse keni prova është Prokuroria. Nëse keni plan për Mitrovicën është edhe DebatPlus-i”, ka shkruar Panduri.










