Pamje kaotike nga Gaza – ushqimi arriti pas tre muajsh, qytetarët rrënuan gardhin “për një copë buke”

Mijëra palestinezë sot u dyndën në vendet ku shpërndahej ndihma nga fondacione të mbështetura nga Amerika dhe Izraeli.

Fondacioni Humanitar i Gazës njoftoi se ka shpërndarë rreth 8000 kuti me ushqim, që përkthehen në rreth 462 mijë vakte, pas një bllokade gati tre mujore izraelite ndaj enklavës së shkatërruar nga lufta.

Në qytetin jugor Rafah, i cili është nën kontroll të plotë të ushtrisë izraelite, mijëra njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, vrapuan drejt njërit prej vendeve të shpërndarjes për të marrë pakot ushqimore. Në pamje – disa prej të cilave reuters nuk mundi t’i verifikonte menjëherë – shihen radhë njerëzish që kalojnë nëpër një korridor dhe dalin në një fushë të madhe të hapur, ku ndihma ishte grumbulluar.

Më vonë, imazhe të publikuara në rrjete sociale tregojnë pjesë të mëdha të gardhit të rrëzuara, teksa njerëzit shtyheshin për të hyrë në vendin e shpërndarjes.

 

Izraeli dhe Fondacioni Humanitar i Gazës deklaruan, pa dhënë prova, se Hamasi kishte tentuar të ndalonte civilët që të arrinin te qendra e shpërndarjes së ndihmës.

Hamasi i mohoi akuzat.

“Shkaku i vërtetë i vonesave dhe kolapsit në procesin e shpërndarjes së ndihmës është kaosi tragjik i shkaktuar nga menaxhimi i dobët i së njëjtës kompani që operon nën administratën e pushtimit izraelit në këto zona tampone”, tha për reuters, Ismail Al-Thawabta, drejtori i zyrës mediatike të qeverisë në Gaza të drejtuar nga Hamasi, i cili shtoi “kjo çoi në faktin që mijëra njerëz të uritur, nën presionin e rrethimit dhe urisë, të futeshin në qendrat e shpërndarjes dhe të merrnin ushqimin, gjatë së cilës forcat izraelite hapën zjarr”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Oren Marmorstein, shkroi në X (ish-Twitter) se 8.000 “pako me ushqim” iu dorëzuan palestinezëve, shkruan cnn.

Disa nga përfituesit e ndihmës treguan përmbajtjen e pakove, të cilat përfshinin një sasi të vogël orizi, mielli, fasule në kuti, makaronash, vaj ulliri, biskotash dhe sheqeri.

 

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) mohuan raportimet që pretendojnë se u qëllua nga helikopterët gjatë kaosit të sotëm në qendrën e shpërndarjes së ndihmës në pjesën jugore të Gazës, në Khan Younis, kur mijëra palestinezë e mbushën atë vend.

Në një deklaratë, IDF theksoi se nuk kishin kryer “asnjë sulm ajror ndaj qendrës së shpërndarjes së ndihmës humanitare”.

Një burim ushtarak tha se një helikopter i forcave ajrore izraelite operonte mbi det në kohën e incidentit, por jo afër vendit të shpërndarjes.

Megjithatë, IDF konfirmoi se ushtarët qëlluan me plumba paralajmërues jashtë bazës.

“Kontrolli mbi situatën është vendosur, pritet që operacionet e shpërndarjes së ushqimit të vazhdojnë sipas planit dhe siguria e ushtarëve të IDF nuk është e rrezikuar”, shtoi ushtria.