Ka përfunduar tashmë takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Nacionale ka siguruar pamje ekskluzive ku Kurti shihet duke dalë nga restoranti ku është mbajtur takimi, dhe duke u drejtuar për të veturat e eksortës së tij i përcjellur nga truprojat.
Deri më tani nuk dihet nëse palët janë marrë vesh për dalje nga ngërçi politik në këtë takim.
Nisma Socialdemokrate e ka bërë të ditur qartë se e dëshiron postin e kryeparlamentarit. Një gjë të tillë, e përsëriti të shtunën deputetja e këtij subjekti, Xhevahire Izmaku.
““Presim që sot të zhvillohet takim, pres një sinjal pozitiv nga ky takim që besoj se do të ndodhë sot. Pres sinjal pozitiv dhe vullnet politik nga lideri i VV-së. Ky është realiteti politik, Nisma e ka zgjat doren e bashkëpunimit. Presim nga lideri i VV-së të shihet se ka vullnet. Të largohemi nga ky ngërrç, kjo mundësi ekziston”, ka thënë ajo, duke shtuar se Limaj kryeparlamentar është oferta më e mirë për vendin.
“Nisma e ka ofru këtë bashkëpunim, kjo është dashtë me u materialize me një marrëveshje politike. Nuk ka ofertë tjetër, kemi ofru bashkëpunim pa kushte. Kushte që ekzekutivin ta ketë partia e parë, ndërsa në krye të Kuvendit të jetë Limaj. Nuk është kusht, është mundësi, më e mira që i ofrohet vendit në këtë moment. Limaj do t’i merrte votat. Është mundësia me dalë nga ky ngërç” – tha ajo.
Nëse këto dy subjekte politike pajtohen, atëherë VV-ja(48), komunitet jo serbe(8), Nenad Rashiqi dhe Nisma(3) do t`i kenë 60 vota.
Për konstituimin e Kuvendit do të ju duhet edhe një votë. Deri me tani askush prej VV-së nuk ka treguar se kush mund të jetë vota e 61-të për konstituimin e Kuvendit.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje politike dhe nuk formohen institucionet deri sot një javë, përfundon edhe afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese që obligon partitë politike të konstitojnë Kuvendin.
Pikërisht për këtë, presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do të dërgojë lëndë në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë mund të bëj thirrje për dëmin, rreziqet që po përballen vendi nëse s’kemi konstituim, por unë jam e bindur se si për çdo afat, edhe për këtë afat, nëse nuk respektohet duhet të ketë pasoja juridike. S’po flas për pasoja penale, po flas për juridike. Çka ndodhë me institucione nëse nuk konstituohen deri më 26 korrik?
…nëse mund të vazhdohet kështu, për çka është vendosë ai afat, pse është i detyrueshëm dhe Kushtetues. Jemi duke përgatitur lëndën për Kushtetuese, nëse edhe këtë vikend nuk ka institucione apo marrëveshje, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës” – ka thënë ajo.