Senati i ShBA-së, ku shumicën e ulëseve e kanë republikanët e presidentit Donald Trump, e konfirmuan të martën zonjën Pam Bondi si kryeprokurore të vendit, duke e vënë në pozitën më të lartë të sundimit të ligjit njërën nga aleatet më të palëkundura të Trumpit.
Votimi me 54 vota “për” e 46 “kundër” i ish-kryeprokurores shtetërore të Floridës do ta ndihmojë presidentin që ta ngurtësojë kontrollin mbi Departamentin e Drejtësisë, i cili është ballafaquar me masa të gjera që në shënjestër kanë pasur prokurorë e agjentë të FBI-së që i kanë hetuar trazirat e 6 janarit të vitit 2021, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Senatori demorkat, John Fetterman, iu bashkua të gjithë 53 senatorëve republikanë për ta mbështetur Bondin, e cila u zotua se do ta ruajë pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë gjatë një seance dëgjimore për konfirmimin e saj muajin e kaluar, duke u thënë ligjvënësve se nuk do ta fusë politikën në hetimet penale ose civile.
Megjithatë, ligjvënësit vazhdojnë që të shprehin shqetësime në lidhje me atë nëse ajo do të mund t’u bëjë ballë urdhrave potencialisht jo të duhur dhe të paligjshëm nga Trumpi, pas shkarkimit të dhjetëra prokurorëve që kishin synuar aktakuza ndaj tij.
Pas rikthimit në pushtet më 20 janar, Trumpi nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke e kritikuar atë që e quajti “shndërrim në armë” të fushës së sundimit të ligjit dhe agjencive të inteligjencës dhe e urdhëroi kryeprokurorin për t’i “rishikuar aktivitetet e të gjitha departamenteve dhe agjencive që ushtrojnë autoritet zbatues civil ose kriminal”.