Pallati i Drejtësisë redukton orarin e punës shkaku i temperaturave të larta

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka vendosur të reduktoj orarin e punës nga ora 08:00-14:00 si pasoje e temperaturave të larta në objektin e kësaj gjykate.

Sipas njoftimit, vendimi është marrë duke u bazuar në atë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të datës 27 qershor, përmes të cilit autorizohen kryetarët e gjykatave që të vlerësojnë kushtet e punës (gjendjen me temperaturat e larta) në Pallatin e Drejtësisë dhe, varësisht nga vlerësimi, të vendosin për reduktimin e punës apo pezullimin deri në përmirësim të gjendjes.

Shërbimet administrative thuhet se do të mbeten funksionale edhe pas orës 14.00,  vetëm me staf të kufizuar, sipas rotacionit të përcaktuar nga udhëheqësit përkatës.

Ndërkaq, seancat gjyqësore të cilat janë të caktuara pas orës 14.00, do të zhvillohen sipas orarit të paraparë, përveç rasteve kur gjyqtari i rastit apo trupi gjykues vlerëson se kushtet e punës nuk e lejojnë mbajtjen e tyre.

Po ashtu bëhet e ditur se stafi i Gjykatës Themelorë në Prishtinë, të cilët janë të diagnostifikuar me sëmundje kronike lirohen nga puna nga ora 12.00.

“Këto masa janë të përkohshme dhe do të vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke mundësuar zgjatjen apo ndryshimin e tyre,  varësisht nga zhvillimet klimatike dhe vlerësimet e menaxhmentit të gjykatës. Masat e aplikuara do të zgjasin deri më datë 25.07.2025, me mundësi rishikimi. SQARIM:Këto masa të përkohshme janë ndërmarr si pasojë e kushteve të rënduara të punës në objektin e Pallatit të Drejtësisë, temperaturave të larta dhe mungesës së klimatizimit, me qëllim të mbrojtës së shëndetit të stafit dhe palëve pjesëmarrëse në procedurë”, thuhet në njoftim.

The post Pallati i Drejtësisë redukton orarin e punës shkaku i temperaturave të larta appeared first on Kosovapost.net.