Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, për FrontOnline e ka vlerësuar takimin e paralajmëruar për më 15 maj mes Presidentes dhe liderëve politik si një përpjekje të rëndësishme për zgjidhjen e krizës aktuale institucionale.
Megjithatë, ai ka bërë thirrje për maturi në pritje, duke theksuar se suksesi i këtij takimi varet nga gatishmëria reale e palëve për kompromis.
“Takimi i 15 majit mes Presidentes dhe liderëve politik është një hap i rëndësishëm në përpjekje për të tejkaluar ngërçin institucional, por pritjet duhet të jenë të kujdesshme. Varet shumë nga vullneti politik i palëve“, ka deklaruar Lekaj për FrontOnline.
Sipas tij, një takim formal nuk mjafton nëse nuk ka qëllim për zgjidhje konkrete.
“Nëse liderët shkojnë aty vetëm për të ruajtur pozicionet e tyre dhe jo për të gjetur zgjidhje, atëherë nuk do të ketë ndonjë zhvillim domethënës“, ka paralajmëruar ai.
Lekaj ka theksuar rëndësinë e rolit të Presidentes në këtë proces, duke e cilësuar si sinjal pozitiv për krijimin e një forme të komunikimit institucional.
“Vetë fakti që Presidentja po ndërmjetëson një takim të tillë është shenjë se po kërkohet një kanal komunikimi institucional“, ka thënë ai.
Ai nuk përjashton mundësinë e progresit, por vetëm nëse ka përkushtim për hapa konkretë: “Mund të ketë një përparim, nëse së paku arrihet pajtimi për hapat e ardhshëm, si p.sh. një dakordim për zgjedhje të parakohshme apo një plan për tejkalimin e krizës aktuale, qoftë përmes marrëveshjes politike ose rifunksionalizimit të Kuvendit“, ka përfunduar Lekaj për FrontOnline.