Megjithatë, disa qytetarë shprehën lehtësim të heshtur për rrëzimin e një lideri që e konsiderojnë përgjegjës për vitet e varfërisë dhe represionit.
Në Caracas nuk pati skena feste pas arrestimit të presidentit Nicolás Maduro nga forcat amerikane.
Përkundrazi, prioriteti për shumë qytetarë u bë furnizimi me ushqime dhe mallra bazë, mes frikës për represione të mundshme nga regjimi që mbetet ende në pushtet dhe pasigurive për atë që do të vijë më pas.
Një ditë pas sulmit të parë në shkallë të gjerë të SHBA-ve në territorin e Amerikës së Jugut dhe kapjes së Maduros, rrugët e kryeqytetit venezuelas u mbushën me ndjenja të përziera.
“Pasiguri”, tha Griselda Guzmán, 68 vjeçe, teksa priste në radhë përpara një dyqani ushqimor për t’u furnizuar.
“Zemërim”, shtoi Sauriany, 23 vjeçe, punonjëse administrative, ndërsa qëndronte në radhë përpara një supermarketi tjetër në qytet.
Radhët e gjata, deri në 100 persona, u panë në shumë zona të Karakasit, ku qytetarët kërkonin miell, qumësht dhe produkte të tjera bazë. “Nëse do të besoja se kjo do ta përmirësonte vendin, do ta mirëprisja”, tha Leandro, 24 vjeç. “Por nuk mendoj se kjo është rruga drejt paqes’.
Në mbarë qytetin, rreth tre milionë banorë po përpiqeshin të përballonin pasojat e bombardimeve të natës, të cilat u shoqëruan me ndërprerje të energjisë elektrike, ujit dhe sinjalit telefonik.
“U zgjova nga një shpërthim gjigant”, tha Gabriel Vásquez, 29 vjeç. “Për një moment mendova se edhe shtëpia ime mund të bombardohej”.
Pavarësisht arrestimit të Maduros, kishte pak shenja gëzimi publik. Shumë qytetarë besojnë se situata reale nuk ka ndryshuar, pasi strukturat e pushtetit mbeten në këmbë. Shefi i Forcave të Armatosura, Vladimir Padrino López, njoftoi se ushtria njeh Delcy Rodríguez si presidente në detyrë, pas asaj që e quajti “rrëmbim frikacak” të Maduros dhe bashkëshortes së tij.
“E kanë marrë Maduron, por revolucioni nuk ka përfunduar”, tha Antonio Guzmán, bashkëshorti i Griseldas. “Jemi ende në të njëjtën situatë – thjesht është hequr një gur nga loja e shahut”.
Megjithatë, disa qytetarë shprehën lehtësim të heshtur për rrëzimin e një lideri që e konsiderojnë përgjegjës për vitet e varfërisë dhe represionit.
“Kur e pashë të prangosur, e pashë për atë që ishte”, tha Griselda Guzmán. “Një njeri që nuk pati kurrë dhembshuri për popullin e tij”.
Të tjerë e dënuan ndërhyrjen amerikane, duke e cilësuar shkelje të rëndë të sovranitetit. “Problemet tona janë probleme venezuelas”, tha Sauriany. “Askush nga jashtë nuk ka të drejtë të vijë dhe të thotë se do të qeverisë vendin tonë”.
Ndërkohë, vendet e rajonit janë në gatishmëri. Kolumbia ka dislokuar rreth 30 mijë trupa në kufi me Venezuelën, ndërsa qeveritë e Amerikës Latine kanë shprehur shqetësim për destabilizim të mëtejshëm.
Në Caracas, mes frikës dhe pritjes, shumë qytetarë thonë se nuk u mbetet gjë tjetër veçse të presin.
“Ende nuk e dimë çfarë po ndodh në të vërtetë”, tha Antonio Guzmán, teksa përpiqej të siguronte ushqime për ditët në vijim.










