Paguhen veç 275 euro, punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës në protestë

Punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës, të martën kanë protestuar para institucionit më të lartë ligjvënës për shkak të pagave të ulëta. Ata kanë kërkuar që paga nga 270 t’iu rritet deri në 500 euro.

Ata kanë paralajmëruar edhe veprimet tjera sindikale nëse kërkesat e tyre nuk realizohen.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Jusuf Azemi, ka thënë se problemi është tek kompania kontraktuese, ku nga 18 mijë euro vetëm 6 mijë ndahen për punëtorët teknik.

“Shuma është 18 mijë euro, ndërsa që e marrin punëtorët është 6 mijë euro. Më shumë merr buxhet pronari i kompanisë”, ka thënë Azemi.

“Jemi dalë të protestojmë për paga të ulëta punëtorët teknik që kryejnë shërbime për Kuvendin e Kosovës që të jemi parimor ne e kemi bë bisedë me sekretarin e Kuvendit dhe drejtorin e administratës të cilët me përpikëri na kanë shpjeguar për procedurën e çështjes së pagave të punëtoreve kuvendi i Kosovës kompanisë i përcjell 18 mijë euro brenda muajit për shërbimet që i kryejmë dhe ne  e kemi komunikuar shumë mirë me sekretarin, ai ka kryer detyrën e vetë ligjore dhe problemi është tek kompania e cila kryejnë shërbime”, ka thënë Azemi, teksa ka paralajmëruar edhe veprime tjera.

“Ne i kemi shkruar pronarit të kompanisë i kemi shpjeguar se ne për sot do të kemi një protestë paqësore dhe nëse nuk reflekton pronari i kompanisë ne sigurisht nga java tjetër me vendimin e punëtorëve do ta ndërpresim shërbimet tona”, ka thënë Azemi.

Kurse, përfaqësuesja e punëtorëve, Nazife Krasniqi, ka thënë se kërkesa e vetme e tyre është të marrin atë se çka iu takon sipas ligjit.

“Ne kemi kërkuar me na u rrit pagat, kemi bisedu me sekretarin, drejtorin aty është thënë se ka mundësi me u rrit pagat por ne operatori ekonomik nuk na është përgjigj. Nuk mund të punojmë me 275 euro kur kemi me udhëtu e kemi ushqim por nuk po na mjafton”, u shpreh ajo.