Paguan në Prishtinë me para false, arr*estohen në Vërmicë dy shtetas të Shqipërisë

Dy shtetas të Shqipërisë kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës pasi të enjten dyshohet se kanë paguar me para false në një pikë të derivateve në Prishtinë.

Në një njoftim të PK-së, thuhet se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë kanë arritur që të sigurojë informata/prova se dy të dyshuarit meshkuj, shtetas të Shqipërisë, në një pikë të derivateve janë furnizuar me derivate, dhe kanë kryer pagesë në vlerë prej 50 euro nga të cilat të gjitha në monedha nga 10 euro.

Pas pranimit të pagesës është vënë re se nga kartëmonedhat e ofruara, 4 (katër) prej tyre janë të falsifikuara.

“Lidhur me rastin, informacionet e shpejta dhe efikase janë ofruar nga zyrtarë të Njësisë për Mbështetje të Trafikut Rrugor, informacione të cilat kanë ndihmuar në koordinimin e njësive relevante policore, ku edhe si rezultat, të dyshuarit janë ndaluar dhe arrestuar në Pikën Kufitare me Shqipërinë, në Vërmicë– Prizren”.

“Gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarve po ashtu janë hasur edhe 780 (shtatëqind e tetëdhjetë) euro tjera (të gjitha kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara)”, ka thënë Policia në njoftim.

Të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pas konsultës me prokurorin e rastit, njëri nga të dyshuarit i cili ka kryer veprën “Falsifikim i parasë” është dërguar në mbajtje prej 48 orësh, ndërsa i dyshuari tjetër me urdhër verbal nga prokurori është liruar në procedurë te rregullt.

The post Paguan në Prishtinë me para false, arr*estohen në Vërmicë dy shtetas të Shqipërisë appeared first on Kosovapost.net.