Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër (e mërkurë) në ora 11:00 në tentativën e 19-të për konstituimin e Kuvendit. Kujtojmë se për të 18-tën herë, dje në Kuvendin e Kosovës ka dështuar konstituimi i përbërjes parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.
Që nga prilli e deri në mesin e majit, deputetët e betuar të Kuvendit, kanë mbajtur plot 18 tentativa me seanca veç disaminutëshe për konstituim, por pa asnjë rezultat konkret.
Pavarësisht kësaj situate të pazakontë dhe mungesës së funksionalitetit parlamentar, deputetët vazhdojnë të marrin pagën e plotë mujore.
”Sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, paga bruto mujore e një deputeti është afërsisht 1,859 euro, deri më 30 qershor 2025. Pas kësaj date paga bëhet 1,914 euro”, deklaroi për klankosova.tv, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Ai thotë se parlamentarët madje kanë të përfshirë meditjet në pagën e tye fikse mujore.
”Mëditja është integruar në pagën e tyre fikse mujore, ku legjislatura e 8-të e ka bërë këtë ndryshim”.
”Deputetët nuk përfitojnë më kompensime/mëditje shtesë për pjesëmarrje në seanca plenare, përfshirë edhe ato për tentimet për konstituim të Kuvendit”, shton ndër tjera Miftaraj.
Ehat Miftaraj: Deputetët marrin rrogat afro 1,859 euro për seancat disa minutëshe
Kjo do të thotë se edhe në rastet kur seancat po thirren çdo 48 orë, nuk ka pagesë shtesë për pjesëmarrje.
Megjithatë, deputetët vazhdojnë të marrin pagën e tyre afro 1,859 euro pavarësisht seancave 48 orëshe, vetëm disa minutëshe.
Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë.
Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë dhënë sinjale se do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.
Në seancën e së shtunës, VV-ja madje propozoi që seancat të mbahen një herë në javë, e jo çdo 48 orë. Por, kjo u refuzua kategorikisht nga PDK e LDK duke thënë se kërkesa e VV-së është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, e cila parasheh që seanca të thirret brenda 48 orëve.
Ndërkohë, javën e kaluar presidentja e vendit, Vjosa Osmani pati një takim me krerët e partive politike pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituuim të Kuvendit. Në takimin e ftuar nga Osmani morën pjesë Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).
Po ashtu, Presidentja pati një takim të ndarë me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Ky takim ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Liderët partiakë thanë nuk është gjetur rrugëdalje për ngërçin e krijuar tash e një muaj. Ndërkohë presidentja Osmani tha se “ekziston një disponim minimal”, për të cilin tha është e bindur se do të rritet me kalimin e kohës.
Osmani po ashtu tha se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, por se aktualisht do të presin. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim për këtë.
Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA.