Deputetja nga radhët e VV-së, Fitore Pacolli, ka komentuar dorëheqjen e Ramush Haradinajt, nga posti i kryeministrit, pas ftesës qëmori nga Gjykata Speciale.
Përmes një postimi në llogarinë e saj nëFacebook, ajo ka thënë se Ramushi e ka kuptuar se mund të luajë me ndjenjat e popullit që kanë për luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe po shfrytëzon, duke shtuar se ai duhet të bëhet i sinqertë dhe ta thotë të vërtetën pse iku pikërisht tani.
Pacolli ka thënë se lotët në st nuk e amnistojnë dot për hajninë e dëmet që i bëri shtetit, pavarësisht kontributit që ka dhënë në luftë.
Postimi i saj i plotë në Facebook:
Ramushi e ka kuptuar se mund të luaj me ndjenjat e popullit që kanë për luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe po shfrytëzon. Ai duhet të bëhet i sinqertë dhe ta thotë të vërtetën pse iku pikërisht tani?!
Respekt për kontributin që ka dhënë në luftë por sot lotët në sy nuk e amnistojnë dot për hajninë e dëmet që i bëri shtetit tonë. Ai zgjodhi rrugën më të lehtë për të mos dhënë përgjegjësi për:
– Burimet ujore, pikat strategjike e zonat turistike që i fali Malit të Zi, 8200 hektarë tokë të shtetit të Kosovës.
– Vjedhjen e rezervave shtetërore;
– 53.1 milionë euro që ia fali kompanisë “Bechtel& Enka” por nuk bëri asgjë për banorët e fshatrave të Kaçanikut e Hanit të Elezit për dëmet materiale që u janë shkaktuar në pronat e tyre nga punimet në autostradë;
– 34 milionë euro që ia fali kompanisë turke Limak;
– Vec se “iu kishte tek” i fali 50 milionë euro borxhe kompanive private ambalazhuese të ujit;
– 55 milionë euro që tentoi t’i paguaj kompanisë Dukagjini por e anuloi atë pas reagimit të Lëvizjes Vetëvendosje!;
– Ministrat e tij nënshkruajtën kontrata me vlerë qindra mijëra euro me kompani ku Kadri Veseli figuron personi përgjegjës;
– Shumëfishimin e numrit të z.ministrave, këshilltarëve, stërmbushi ndërmarrjet publike me militantë partiak e fëmijë të deputetëve të AAKës, punësoi kordinatorë e asistentë të kordinatorëve për të vazhduar me shpikjen e pozitave të reja sic ishin nënkordinatorë e asistentë të nënkordinatorëve e plotë të tjera;
– Gjatë qeverisjes së tij 29 mijë qytetarë u larguan për jetë më të mirë nga vendi;
– Për vendimin e tij që të rrisë pagën vetit dhe zëvendëskryeministrave, ministrave, këshilltarëve politikë dhe një pjese të stafit civil të zyrës së tij;
– Për kërcënimin që i bëri prokurorit dhe e detyroi të largohet nga vendit;
– Për humbjen e 43.4 milionë euro nga fondet IPA të Bashkimit Evropian;
– Për emërimin e këshilltarëve të akuzuar e të dënuar për kidnapime e keqpërdorim të fondit në vlerë prej miliona eurosh;
– Për takime të shpeshta në zyrën e tij me Milan Radojçiqin, nënkryetar i Listës Serbe, bosin e nëntokës në veri të Kosovës;
– Për shkarkimin e Bordit të Këshillit Kombëtar të Cilësisë dhe ndërhyrjet politike në Agjencinë Kosovare të Akreditimit ndikuan që Kosova të përjashtohet nga EQAR;
– Për shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike për ti plotësuar ato me militantë e familjarë të anëtarëve të partive të PAN-it;
– Për punësimin e kunatave e dhëndurëve e tij;
– Lista vazhdon…
Pra, sot ra një qeveri e krimit dhe e korrupsionit.