Pacolli për shembjen e rrugës në Prishtinë: Pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të standardeve

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka thënë se shembja e rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë është pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të standardeve të ndërtimit.

Ajo ka thënë se Ministria do të bëjë përpjekje që me Planin e ri Hapësinor të Kosovës të vendosë kreitere të rrepta dhe standarde që “nuk lejojnë improvizime në dëm të qytetarëve”.

“Kjo që shohim në Prishtinë është pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të standardeve. Respektimi i ligjit dhe i kritereve teknike është jetik për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, punëtorëve dhe stabilitetin e infrastrukturës sonë, andaj llogaridhënia duhet të jetë e plotë dhe e panegociueshme. Pavarësisht rezistencës nga grupet e interesit apo politika e mësuar pa llogaridhënie, ne si Ministri po po punojmë që të vendosim rend dhe rregull. Edhe komunat duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të ndëshkohen për mungesën e inspektimit të mirëfilltë dhe mosrespektimin e standardeve në ndërtim. Për t’i dhënë fund kësaj mbrapshtie që është instaluar për vite me radhë, ne si Ministri do të bëjmë përpjekje që me Planin e ri Hapësinor të Kosovës të vendosim kritere të rrepta dhe standarde që nuk lejojnë më improvizime në dëm të qytetarëve”, ka shkruar Pacolli në Facebook.