Paçarizi: 100 € studentëve iu kryejnë punë, por do t’ua gërryejnë dinjitetin dhe integritetin

Opinionisti Rrahman Paçarizi, është i mendimit se ka shumë studentë që iu duhen 100 eurot që i ndau qeveria në detyrë gjatë ditës së sotme.

Mirëpo, ai tha se ato para do t’ua gërryejnë dinjitetin dhe integritetin atyre.

“Në këtë situatë pak më rëndon për shkak të studentëve, sepse nuk e di qysh kanë me e kuptu këtë që po e them, sepse ka në mesin e studentëve që përnjëmend 100 euro iu kryejnë punë, por ato 100 euro që ua kryejnë një punë, kanë me ua gërry dinjitetin dhe integritetin e tyre nëse janë në atë pozitë, dhe ka të tillë që janë në atë pozitë. Fatmirësisht askush nuk do t’i kontrollojë se a e kanë kryer detyrën për çka u janë dhënë ato para”, deklaroi Paçarizi.

Ai tha se ky veprim i qeverisë në detyrë është ofendim për studentët, teksa shtoi të njëjtit nuk mund të blihen as me 1000 euro.

“Unë nuk besoj që studentët blihen me 100, madje as me 1000 euro. Madje mendoj se studentët e mirë, e edhe të varfrit që ka shumë të tillë, do t’i marrin këto para, por nuk do të bëjnë kompromis me integritetin e tyre. Këta persona mund të abstenojnë në votim”, potencoi ai.

Mes tjerash, Paçarizi tha se është e çuditshme se si Albin Kurti, si ish-lider i studentëve, i trajton studentët e sotëm në këtë mënyrë.

“E kam të paqartë qysh një person i cili ka dëshirë të identifikohet e cilësohet si një nga liderët e studentëve, i trajton studentët në këtë mënyrë. Nëse një ish-lider i studentëve, siç ka qejf të identifikohet zotëri Kurti, dhe unë nuk e shoh si të tillë sepse e kam jetuar atë kohë, nëse ai mendon se studentët blihen me 100 euro, çka mendojnë studentët tash nëse mendojnë pak më thellë: çfarë studenti paska qenë dikush që ka qenë në krye të studentëve të atëhershëm, me sa është shitur dhe blerë”, tha ndër të tjera Paçarizi.