Perdja sot ra. Albin Kurti i Vetëvendosjes u ekspozua që s’i ka numrat, anipse me sigurinë më të madhe shprehej për tetë muaj me radhë se i ka. Por, partitë opozitare “po më bllokojnë, pikërisht sepse i kam”, sado sfiduese për logjikën që mund të jetë kjo. Për herë të parë në histori të vendit dikush ia mësyu dhomës së përfaqësuesve të popullit të kërkojë votë nga partitë opozitare që t’ia vazhdojnë mandatin; anomali demokracie parlamentare kjo. 56 vota ishte fuqia e tij parlamentare dhe konsumoi të drejtën kushtetuese si mandatar për formim të qeverisë. Propozoi 20 ministri, çka dikur argumentonte se në qeveritë paraprake shërbenin vetëm për hajni. Seanca u mbyll, çështja kaloi te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të parë nëse do të ketë mandatar të ri që e bind atë se mund t’i grumbullojë 61 vota për qeveri të re, qoftë nga blloku ish-opozitar, ose edhe nga vetë Vetëvendosja sërish. Lumir Abdixhiku i LDK-së ka çuar porosi se sa për LDK-në, dhe bllokun ish-opozitar me pjesëmarrje të vet, Vjosa Osmani mund të konstatojë “qysh të dielën” se s’ka shumicë, se mund të shpërbëhte kuvendi dhe të shpallen zgjedhje të reja.
…
Afrim Kasolli, filozof dhe ish-deputet i Vetëvendosjes, pati një analizë se si “fundi (dita e sotme) e kuptimëson fillimin” duke i dhënë një lexim kursit që ka ndjekur Abin Kurti që nga 9 shkurti, e prej seancës së parë konstitutive me pafund truqe procedurale për të vonuar konstituimin e Kuvendit.
“Pasi kjo Lëvizje e ka shperfillur cdo komunikim normal politik, tash i eshte vene gares per kerkimin e fajtorit kujdestar per krizen qe po na pret. Nuk thuhet me kot se fundi e kuptimison fillimin. Dita e sotme po deshmon se Levijza Vetëvendosje strategjikisht e ka mbajtuar te bllokuar themelimin e insititucioneve qendrore me qellim qe ta shtoje deri ne ekstrem shantazhin ndaj partive opozitare, qe nese nuk i nënshtrohen Albin Kurtit e rrezikojne shtetin. Sepse sipas eksponentëve te ketij subjkekti Albini eshte shteti”, shkroi ai.
“Pra te njejtit janë ne gjendje qe edhe ta rrezikojne funskionimin e shtetit vetem qe te mund te përfitojnë politikisht nga kaosi, sipas motos se njohur te Mao-s ‘ekziston nje kaos i madh nder qiell, situata eshte e jashtëzakonshme’”, tha ai.
Studiuesi Agon Maliqi duke shkruar për diskursin që sot Vetëvendosja synoi të prodhojë se fajet i ka opozita se pse s’po ia zgjat mandatin – analizoi se situata është “skajshmërisht absurde dhe madje edhe satirike”.
“Të argumentosh në një demokraci se “partitë e tjera i kanë fajet sepse s’po ma votojnë qeverinë” – pasi jo vetëm se nuk e ke shfrytëzuar me muaj të tërë mundësinë për të negociuar koalicion, por aktivisht i ke poshtëruar dhe fyer kundërshtarët – kjo është një qasje jo thjesht e çuditshme, por skajshmërisht absurde dhe madje edhe satirike.
Larg qoftë me i shku njeriut mendja se njerëzit kanë votuar për ato parti, e jo për të, dhe se kanë pasur arsye legjitime. Ky nivel i arrogancës dhe i përçmimit ndaj demokracisë është i përmasave epike dhe tregues i mendësisë totalitare. Ai thjesht e konfirmon arsyen pse Kurti në shkurt e ka humbur shumicën dhe pse tashmë e ka marrë teposhtëzen (me shumë gjasë) pa kthim!”, tha ai.










