Kurti, në përgjigjen që u ka dërguar organizatave ndërkombëtare, kishte kërkuar që organizatat ndërkombëtare të ushtrojnë presion edhe ndaj partive të tjera politike.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në letrën që kishte pranuar nga tre organizata ndërkombëtare lidhur me situatën e krijuar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ishte përgjigjur duke kërkuar që ato të inkurajojnë ish-opozitën të përmbushë përgjegjësitë e saj institucionale.
Përgjigja e Kurtit, përmes një letre dërguar këtyre organizatave ndërkombëtare, është publikuar nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez.
“Në të njëjtën kohë, Qeveria duhet të veprojë strikt brenda kuadrit të ligjeve të Kosovës dhe ndarjes kushtetuese të pushteteve. Në bazë të Ligjit Nr. 08/L-332 për Alokimet Buxhetore për vitin 2025 (në vijim referuar si Ligji për Alokimet Buxhetore), Parlamenti miratoi shumën prej 8,960,000 € për RTK-në”.
“Ligji parashikon më tej që këto fonde të alokohen dhe të transferohen nga Thesari në përputhje me një vendim të Komitetit të Parlamentit për Buxhet, Punë dhe Transferime, pas paraqitjes së programit gjashtëmujor të shpenzimeve dhe raportimit nga RIK-u. Kjo, sepse RTK është përgjegjës ndaj Kuvendit të Kosovës”, tha Kurti.

Në letrën e dërguar më 13 nëntor, Kurti fajësoi ish-opozitën për situatën e krijuar, duke theksuar se ata kanë refuzuar të formojnë komisionet parlamentare.
“Në rrethanat aktuale, ndërkohë që Kuvendi është konstituar, por partitë opozitare refuzojnë të formojnë komitetet parlamentare, nuk ekziston asnjë komitet kompetent që të marrë vendimin e kërkuar, dhe ekzekutivi nuk mund të zëvendësojë ligjërisht këtë kompetencë”.
Kurti gjithashtu përmendi veprimet e ndërmarra më parë në situata pothuajse të ngjashme.
“Për kontekst, kur u krijua një ngërç i ngjashëm më herët këtë vit, Qeveria mundësoi funksionimin e RTK-së përmes një mase përkohshme dhe të jashtëzakonshme të huasë, një episod që ju gjithashtu e përmendët në letrën tuaj duke vazhduar të inkurajonte zgjidhje institucionale”.

Ai gjithashtu potencoi se Qeveria në detyrë është e gatshme të lehtësojë transferimin e fondeve të miratuara për RTK-në sapo të formohet komisioni parlamentar kompetent dhe të jetë në gjendje të veprojë, në përputhje me Ligjin.
“Derisa kjo të ndodhë, ne nuk mund të zëvendësojmë ligjërisht kompetencën e vendimmarrjes që i është caktuar drejtpërdrejt Komitetit të Parlamentit për Buxhet, Punë dhe Transferime. Veprimi ndryshe do të shkelte legjislacionin e Kosovës dhe do të ishte në kundërshtim me standardet e ndarjes së pushteteve që mbështesin modelin demokratik evropian”.
Të hënën, punëtorët e Radio Televizionit shtetëror të Kosovës (RTK), kanë nisur grevën e përgjithshme, kur kanë hyrë në ditën e 24-të të mungesës së pagave.
Greva e 700 punëtorëve të televizionit shtetëror do të vazhdojë çdo ditë nga ora 11:00 deri në orën 13:00, me pezullimin e të gjitha punëve në çdo sektor deri në ekzekutimin e pagave.











