Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj vendimit gjyqësor, për shpalljen fajtorë të dhjetë nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”.
Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla ka thënë për kosovapress se OVL-UÇK e ka ndjekur me vëmendje vendimin e sotëm dhe shton se kjo organizatë ka qenë gjithmonë kundër përfshirjes së personave të pa merituar në listat e veteranëve.
Sipas Sylës, mbrojtja e statusit të luftëtarëve të vërtetë është çështje parimore për OVL-UÇK.
Syla thekson se duket krejtësisht e pakuptimtë që njëkohësisht gjykata e dënon komisionin për verifikimin e veteranëve, dhe më pas i thotë qeverisë “verifikoni sërish 19.500 persona”.
“Ne kemi dyshime serioze që kjo qeveri në detyrë ka kompetencë ligjore apo politike për të ndërmarrë një proces kaq të rëndësishëm dhe të ndjeshëm. Rishikimi eventual i listave duhet të bëhet me kujdes të jashtëzakonshëm, me garanci të forta ligjore dhe morale, dhe assesi në mënyrë të njëanshme apo politike”, thekson Syla në një përgjigje me shkrim.
Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë dhjetë nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”, ndërsa ka liruar nga aktakuza Nuredin Lushtakun dhe Smajl Elezajn, pasi sipas trupit gjykues ata nuk kanë pasur cilësinë e personit zyrtar.
Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u shpallën fajtorë për veprime në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e përcaktuara nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të UÇK-së, duke ua mundësuar personave të tjerë të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit.
Ata u dënuan me nga një vit burgim, i cili duhet të ekzekutohet brenda 15 ditësh nga shpallja e vendimit. Trupi gjykues përbëhej nga Gazmend Bahtiri (kryetar) dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni e Kushtrim Shyti, ndërsa aktakuza përfaqësohej nga prokurori Valdet Gashi.
Kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri tha se Qeveria e Kosovës obligohet që brenda një viti të krijojë komisione të reja për të rishqyrtuar listën e personave aplikues për statusin veteran-luftëtarë, listë kjo me 19,500 persona.
Trupi gjykues deklaroi se qeveria pas përfundimit të rishqyrtimit të aplikimeve për statusin veteran- luftëtar, duhet të shpallë vlefshmërinë e statusit.