Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste kundër Gjykatës Speciale më 7 gusht.
Kjo është bërë e ditur gjatë një konference për media të mbajtur të hënën, ku udhëheqës të organizatës kanë kritikuar ashpër punën e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ata e kanë cilësuar këtë gjykatë si të njëanshme dhe me qëllim të deformimit të luftës çlirimtare të UÇK-së, transmeton Klankosova.tv.
“Gjykata Speciale po shërben si mekanizëm për njollosjen e luftës sonë të drejtë dhe përbaltjen e figurave kryesore të saj”, u tha në konferencë.
OVL-UÇK tha se protesta do të jetë paqësore dhe ka për qëllim të kundërshtojë padrejtësitë që, sipas tyre, po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së, të cilët tashmë po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Protesta do të mbahet më 7 gusht, ora 17:00, në sheshin “Skenderbeu” Prishtinë.