OVL UÇK mbështet protestën e Studentëve në Gjakovë: Le të dëgjohet zëri i studentëve!

Pakënaqësitë për gjykimin e ish-krerëve dhe mosrespektimin e tyre në Hagë kanë shkaktuar reagime edhe te studentët në vend.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka shprehur mbështetje për protestën paqësore të studentëve të Iniciativës “Fehmi Agani”, të cilët do të protestojnë kundër padrejtësive që po ndodhin në Hagë dhe për mbrojtjen e të drejtave të krerëve të UÇK-së.

OVL UÇK thekson se studentët po ngrisin një zë të rëndësishëm për drejtësi dhe kërkojnë respektimin e të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së.

“Deri më sot, më shumë se kurrë, duhet të dëgjohet zëri i studentëve që kërkojnë drejtësi dhe respekt për krerët e UÇK-së,” thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.

Organizata vlerëson se kjo protestë është një shprehje demokratike e pakënaqësive dhe se të rinjtë po mbrojnë vlerat që po cenohen në proceset gjyqësore në Hagë. Ata mbështesin fuqishëm kauzën e studentëve dhe çdo veprim paqësor që mbron dinjitetin e luftëtarëve të lirisë.

OVL UÇK bën thirrje për institucione që ta dëgjojnë dhe ta marrin seriozisht zërin e studentëve.

“Le të dëgjohet zëri i studentëve!”, thuhet në fund të njoftimit.