Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Përmes një reagimi në Facebook, OVL UÇK ka vlerësuar se pas ftesës së Prokurorisë Speciale për dëshminë e Kelmendit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka prova të mjaftueshme për shkarkimin e Kelmendit nga pozita e Kryeprokurorit të Shtetit.
“OVL UÇK vlerëson se organet përgjegjëse duhet ta shkarkojnë menjëherë nga detyra dhe ta përjashtojnë nga sistemi i drejtësisë, sidomos pas kësaj ftese të Prokurorisë Speciale. Pavarësisht se z. Kelmendi është ftuar si dëshmitar, perspektiva e tij dëshmuese buron nga ana e regjimit të Millosheviqit, dhe çfarëdo që të deklarojë sot, Kosova nuk mund të ketë Kryeprokuror që ka punuar për Danicën në kohën kur ajo përpiqej të shkatërronte të vërtetën e Reçakut, edhe pas jehonës që i dha Ambasadori Walker”
“Kjo ftesë e Prokurorisë Speciale është dëshmia kryesore mbi të cilën Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet ta përjashtojë menjëherë nga sistemi bashkëpunëtorin e Danicës.
Si qytetar i thjeshtë, e jo si Kryeprokuror, z. Kelmendi e ka shansin që para gjykatës të dëshmojë drejt për këtë masakër dhe sadopak të lehtësojë turpin që e mbulon si shërbyes i një regjimi që masakroi popullin e Kosovës”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së në Facebook.
Paparaci raportoi sot ekskluzivisht se Besim Kelmendi është ftuar nga Prokuroria Speciale për tu intervistuar në cilësinë e dëshmitarit për masakrën e Reçakut. Asokohe, Kelmendi punonte në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Paparaci ka raportuar para disa vitesh për lidhjen e Kelmendit me Danica Marinkoviqin, gjyqtaren famëkeqe serbe të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë gjatë viteve ‘90.











