OVL-UÇK: Çdo tentativë për të njollosur UÇK-në është e papranueshme

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së kanë reaguar ashpër ndaj pranisë në Kosovë të ndihmësit të Petar Petkoviqit, Igor Popoviq, për të cilin thanë se është i njohur për gjuhë fyese dhe urrejtje ndaj UÇK-së dhe luftës çlirimtare.

Në deklaratën e përbashkët të lëshuar për media, ato theksojnë se “ky është mentaliteti i vartësve të Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal”.

Veteranët e UÇK-së vlerësojnë se prania e ndihmësit të Petkoviqit përbën tentativë për provokim dhe përhapje të propagandës antikombëtare. “Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri”, thuhet në reagim.

Ata theksojnë se nuk do të qëndrojnë në heshtje përballë fyerjeve ndaj luftës çlirimtare. “Ne, kategoritë e dala nga lufta, nuk do të heshtim ndaj fyerjeve që synojnë të fyejnë sakrificën për liri dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve tanë”, përfundon deklarata.

Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në qeverinë serbe, është ndaluar nga Policia e Kosovës në Bërnjak dhe është dërguar për intervistim në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë-Veri.

The post OVL-UÇK: Çdo tentativë për të njollosur UÇK-në është e papranueshme appeared first on Kosovapost.net.