OVL e UÇK-së: Zëri i luftëtarëve të lirisë u dëgjua sot në Vatikan

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bën të ditur se sot janë pritur nga Arqipeshkv Vincenzo Paglia, Këshilltar papnor dhe President i Akademisë Papnore për Jetën, figurë e njohur dhe me ndikim në Vatikan, i cili për vite me radhë ka qenë një nga zërat kryesorë në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe të drejtësisë.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit u zhvillua një dialog i hapur e miqësor mbi rëndësinë e së vërtetës historike, kujtesës kolektive dhe respektit për sakrificën e atyre që kanë luftuar për liri.

“U theksua domosdoshmëria që çdo proces drejtësie të mbështetet në parimet e barazisë, humanizmit dhe dinjitetit njerëzor. Arqipeshkv Paglia shprehu mirëkuptim dhe vlerësim për përpjekjet e komunitetit të luftëtarëve të lirisë në ruajtjen e së vërtetës dhe në promovimin e paqes përmes kujtesës dhe dialogut.

Ne shprehim mirënjohje për mikpritjen dhe përkushtimin e tij, duke besuar se ky takim do të shërbejë si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për drejtësi, të vërtetë dhe dinjitet njerëzor”, thuhet në njoftim.