Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dega në Ferizaj ka reaguar pas dëmtimit dhe djegies së bunkerit në Pikën 6 në fshatin Jezerc.
“Ky veprim i ulët dhe i turpshëm përbën një fyerje për kujtesën dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky bunker është simbol i qëndresës dhe rezistencës së popullit tonë dhe çdo përpjekje për ta shkatërruar atë është një akt kundër trashëgimisë sonë kombëtare”, thuhet në reagim.
Më tej thuhet se ata do ta informojnë Policinë e Kosovës për këtë rast dhe do të kërkojnë që autorët të vihen para drejtësisë sa më parë.
“Urojmë që sa më shpejt të gjenden ata që kanë dëmtuar këtë vend të shenjtë të historisë sonë kombëtare. OVL UÇK – dega Ferizaj mbetet e vendosur për të ruajtur dhe mbrojtur kujtimin e luftës sonë çlirimtare”, vazhdon reagimi.