Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka dal në mbrojtje ish gazetarit të Infokus-it, Halil Berisha, i cili u detyrua për dy ditë rresht të jetë në Tribunalin e Hagës në cilësinë e dëshmitarit, si gazetar.
Krerët e OVL e UÇK-së, vlerësojnë se Halil Berisha është duke thënë të vërtetën, por ai është duke u maltretuar nga Gjykata Speciale, shkruan Gazeta Infokus.
Madje, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL e UCK-së, Faton Klinaku thotë se kjo përbën edhe shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive të gazetarëve.
“Ashtu siç e tha edhe gazetari, Halil Berisha, edhe unë po çuditem pse e kanë ftuar aty dhe po e maltretojnë për një diçka që ka qenë e ligjshme ai publikim që është bërë në media. Në mungesë të dëshmitarëve dhe në mungesë të hetimit të tyre për skandalet e veta, ata i maltretojnë njerëzit që e thonë realitetin edhe nuk kanë bërë asgjë të kundërligjshme”, ka thënë Klinaku për Infokus.
Ai ka thënë së Specialja po mundohet t’i ‘përpunojë’ njerëzit.
“Pavarësisht që janë munduar me i përpunuar njerëzit, nuk kanë mundur ta bëjnë këtë gjë, pasi që ata e thonë realitetin, dhe neve na duhet realiteti i asaj që ka ndodhë. Halil Berisha është duke e thënë të vërteten pasi çdo gjë ka qenë e filmuar, qoftë me kamerat tona ose me kamerat e mediave në konferencat për media”, ka thënë Klinaku.
Gazetari Halil Berisha, nuk është duke dëshmuar për luftën, UÇK-në, apo kundër krerëve të OVL-UÇK-së, por thjeshtë si gazetar që mori pjesë në konferencën për media të organizuar nga OVL-UÇK-ja, ku u bënë publike dosjet e Gjykatës Speciale.