Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e ka quajtur 16 korrikun test për drejtësinë dhe të vërtetën, ditë kjo kur nga trupi gjykues në Hagë pritet të bëhet publik vendimi për mocionin e dorëzuar nga ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen pranë Speciales, transmeton KosovaPost.
OVL e UÇK-së thotë se lufta ka qenë e drejt, e pastër e çdo përpjekje për ta njollosur, sipas tyre, është padrejtësi ndaj popullit e historisë së Kosovës.
“Me 16 korrik pritet të merret vendimi për mocionin e dorëzuar nga presidenti Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ky moment është një test për drejtësinë dhe për të vërtetën. Lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë, e pastër dhe e ndërtuar mbi themele të lirisë e dinjitetit kombëtar. Çdo përpjekje për ta njollosur atë është padrejtësi ndaj popullit dhe ndaj historisë sonë”, thuhet në këtë deklaratë të OVL të UÇK-së të cilës i janë bashkuar edhe shoqata të tjera, si Shoqata e Invalidëve të Luftës (SHIL), Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD), Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Shoqëria “Lëvizja”.
Ata e kanë quajtur këtë si moment vendimtar që kërkon respektim të parimeve të drejtësisë me ndershmëri.
“I bëjmë thirrje trupit gjykues që në këtë vendim të rëndësishëm të mos i mbyllë sytë para së vërtetës të luftës sonë çlirimtare. Ky është një moment vendimtar që kërkon respektim të parimeve të drejtësisë me ndershmëri. Populli shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare presin një vendim që respekton sakrificën për liri, dhe jo një vendim që i shërben padrejtësisë. Ne besojmë në pafajësinë e luftëtarëve tanë dhe do të qëndrojmë gjithmonë përkrah tyre. 16 korriku do të jetë dita kur do të shihet se a është e politizuar kjo gjykatë apo ende ka në të jurist profesional dhe të paanshëm”, ka thënë OVL e UÇK-së.
The post OVL e UÇK-së: 16 korriku test për drejtësinë dhe të vërtetën appeared first on Kosovapost.net.