Osmanit iu kthyen si “karma” kërcënimet e rënda ndaj gazetarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është përballur me sulme dhe kërcënime pas shpërbërjes përfundimtare të koalicionit me Albin Kurtin. Është ankuar për rrezikun nga kërcënime, por në mandatin e saj ishte vetë ajo përkrah bashkëshortit të saj që kërcënuan, shantazhuan e në fund arrestuan një kameraman.

Vjosa Osmani duke i numëruar hapat e saj të fundit si presidente, të martën mbrëma vendosi që të “rrëfehet” në një intervistë televizive, por për një televizion nga Shqipëria. Rrëfimin e saj e ka bërë tek pasi i ka prishur punët në pakthim me aleatin e saj, Albin Kurtin, me të cilin bashkë u ngrit në pushtet pas vitit 2021.

Në një intervistë për Syri TV me Çim Pekën, Osmani e pranoi ani pse jo direkt, se ia ka heshtur e nuk ia ka bërë publike shkeljet, më shumë se 20, siç tha ajo, kushtetuese të Albin Kurti. Dhe krejt në fund, u ankua për kërcënimet që i janë bërë tek tani kur ka marrë fund koalicioni politik mes saj dhe Kurtit.

“Raporti im institucional me kryeministrin [Edi Rama] është i tillë, dihen dallimet që i kemi pasur me të, akoma qëndroj, mirëpo ne si Kosovë kemi qenë këto vite në situatë sfidash, na janë dashur aleatë të Kosovës, kur unë vizitoja vendet e ndryshme dhe filloja të flisja për Serbinë se si po heqim nga Serbia dhe përgjigja që merrja ishte kjo: ‘Po mirë mirë me Serbinë, por me Shqipërinë çfarë patët, si është e mundur që me Shqipërinë nuk ia kaloni mirë?’ dhe momente të tilla duhet ta bëjë secili lider të reflektojë, bashkëpunimi im me Ramën me presidentin Begaj është institucional. Ne flasim para Samiteve, si ai i NATO-s, por komplote nuk kam bërë kurrë në jetën time. Komplotin e ka bërë dikush tjetër kundër meje, por koha do ta dëshmojë të vërtetën. Për aq sa të jem gjallë, do t’ia kushtoj mbrojtjen të kësaj të vërtete, për 5 vjet e gjysmë e kam mbrojtur me krejt qenien jo vetëm Kosovën, por edhe këtë qeveri, sa herë është sulmuar, anatemuar, i kam mbrojtur qëndrimet, por kam thënë gjithnjë që kemi qëndrimet e njëjta, Llogariteni kur për dikë që ka qenë aleat i tyre, i ka ruajtur si sytë e ballit, i ka ruajtur për 5 vjet e gjysmë, ndërtohet një propagandë e tillë deri në thirrje për pushkatim, llogariteni se çfarë mund t’u bëjnë të tjerëve”, ka thënë Osmani.

“I kemi kërkuar institucioneve të rendit që të merren me këto kërcënime, mirëpo nuk është e vetmja, mirëpo sikur këta njerëz ta shfrytëzonin vetëm 10 për qind të kësaj urrejtje, të kësaj energjie negative, të këtyre sulmeve dhe të merreshin me Serbinë dhe të drejtoheshin në raport me Vuçiqin që kreu akt agresioni deri në ditët e sotme, Kosova do të arrinte shumë. Por për fat të keq kanë gjetur gjuhën e linçimit pa asnjë argument të vetëm”, ka shtuar presidentja në këtë intervistë.

Nejse, Osmani nuk i ka llogaritur kërcënimet e veta ndaj të tjerëve.

Kërcënimet ndaj Osmanit kanë ardhur në fund të mandatit pesëvjeçar, gjatë të cilit ajo vetë u ka fryrë kërcënimeve përkrah bashkëshortit të saj, Prindon Sadriut, të cilin e ka mbrojtur edhe kur i ka quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Çifti presidencial ka shkuar aq larg sa me pretendime të rrejshme, urdhëroi mbrojtjen e afërt të tyre që të arrestonin kameramanin e Paparacit, Jetmir Mujin, gjatë shtatorit të vitit 2025.

Ankesën ndaj kërcënimeve e ka bërë të hënën kur Halil Geci në një postim përdori fjalën “pushkatim”.

Presidenca në reagim tha se Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë vend ku aktivistë politikë, vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë për figura të zgjedhura nga qytetarët.

Mirëpo është vetë Osmani që mbrojti bashkëshortin kur katër vjet më parë u vetshpallë “gjykatës” dhe shpalli mediat si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Ky ishte vetëm fillimi i fushatës me kërcënime e shantazhe nga çifti presidencial.

Rrena e Osmanit për kameramanin e Paparacit

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se kameramani i Paparacit, Jetmir Muji, nuk është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndonëse ai është shoqëruar në Stacionin Policor – Qendra nga Njësia e Mbrojtjes së Afërt të presidentes.

Osmani, në një konferencë për media në fillim të shtatorit 2025, tha se lajmi për arrestimin e gazetarit “është një gënjeshtër”.

“Dje u publikua edhe një gënjeshtër: që kinse policia e ka arrestuar gazetarin. Dje mbrojtja ime e afërt nuk e ka arrestuar gazetarin”, tha ajo.

Ajo, ani pse tha që nuk do të kërkojë ndjekjen penale të asnjë gazetari, insistoi se incizimi i paautorizuar përmban elemente të veprës penale. Por, kameramani i Paparacit ka incizuar vetëm mbrojtjen e afërt. Nuk ka pasur për qëllim incizimin e fëmijëve të mitur.

“Është e qartë se incizimi i paautorizuar ka elemente të veprës penale. Gjithashtu është e qartë se unë nuk do të kërkoj ndjekje të asnjë gazetari asnjëherë”, tha Osmani dhe vazhdoi: “Mos harroni që në këtë vend ka edhe njerëz të çmendur”.

Hetimet ndaj gazetarëve

Presidentja Vjosa Osmani në po të njëjtën konferencë që e thirri pas arrestimit të kameramanit të Paparacit, shkoi edhe më larg, kur tha se Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) është duke i hetuar disa gazetarë për veprimtari të paligjshme.

Ajo, tha se nuk e ka ndërmend t’i përmend emrat e gazetarëve, derisa hetimet të përfundojnë me arsyetimin se nuk dëshiron të ndërhyjë në hetime – ndonëse këtë veçse e ka bërë.

Shefja e shtetit u pyet nëse emrat e gazetarëve të përfshirë në hetime janë ata të cilët i përmendi të mërkurën në mbrëmje bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu. Natyrisht, i doli në mbrojtje, kur tha se nuk e ka parë postimin e zotëriut të parë.

Sadriu i akuzoi gazetarët për nxitje të dhunës “ndaj fëmijëve të vegjël”. Përmendi me konotacion negativ emrat e gazetarëve Vehbi Kajtazi, Berat Buzhala dhe Lirim Mehmetaj./Paparaci.com.